Aktualitet

Himarë, Blerina Bala komandohet kryebashkiake!

Opozita ka bashkuar votat me Partinë Socialiste për të komanduar nënkryetaren e Bashkisë së Himarës, Blerina Bala, e cila mori 15 vota pro. Kryetari i Këshillit Bashkiak të Himarës, tha se votat e PS-së, u plotësuan me të tjera.

U zgjodh Blerina Bala, aktualisht nënkryetare e Bashkisë Himarë. Ligji thotë që një nga nënkryetarët merr drejtimin. Grupi i PS-së propozoi Blerina Balën.

Votimi u parapri nga tensione që çuan në shtyrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak më herët gjatë ditës. Ato u krijuan nga mbështetës të Fredi Belerit, i dënuar me dy vjet burg për korrupsion zgjedhor. Beleri fitoi në vendoret e 14 Majit 2023, por nuk është lejuar nga gjykatat të bëjë betimin.

Ne vendosëm ta bënim me dyer të mbyllura mbledhjen për shkak të tensioneve. Pikat e rendit të ditës do t’i shqyrtojmë ditë tjetër.

Përplasjet e tensionet u shënuan pa nisur mbledhja e Këshillit Bashkiak të Himarës që sot duhej të zgjidhte kryetarin e komanduar të bashkisë. Me Fredi Belerin në burg dhe me Jorgo Goron e arrestuar për tjetërsim pronash e që dha dorëheqjen si kryebashkiak në detyrë, Himara mbeti pa kryetar.

Ligji përcakton se mblidhet Këshilli Bashkiak për të komanduar si drejtues një emër mes dy nënkryetarëve aktualë e që janë Blerina Bala dhe Pervin Gjikuria.

Persona të identifikuar si mbështetës të Belerit kërkuan që të dilte prefekti i qarkut Vlorë, Vangjel Tavo, i cili u largua.

Ta marrin ta nxjerrin jashtë Tavon, nuk është i joni… Merreni, nxirreni jashtë!

Nuk është kryetari ynë ai!

Mbledhja me dyer të mbyllura vijoi pasi u zhvillua në një sallë tjetër.

Ja çfarë thuhet në Nenin 61, pika 5:

Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen  Zv. kryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme në Himarë, fillimisht do të duhet që Apeli i Gjykatës së Posaçme të japë një vendim përfundimtar për Fredi Belerin.

Ndërkaq, sa i përket tensioneve me Greqinë për Belerin, Tavo u shpreh se “kjo është një stuhi në gotë që do të marrë fund shumë shpejt”.

Interesa të vogla kanë marre peng komunitetin himariot. Unë, Kadastra dhe bashkia do të fillojmë pajisjen me hipoteka të të gjithë himariotëve.