Aktualitet

Horror në Korçë, burri gjen në shtëpi një fetus të fshehur në valixhe!

Ngjarje makabër në qytetin e Korçës ku në këtë fillimjavë po raportohet në media një rast tronditës, lidhur me gjetjen e një fetusi në një valixhe, brenda një banese. Denoncimi u bë nga kryefamiljari, i kthyer pak kohë më parë nga Greqia ku shkon vazhdimisht për të punuar si emigrant.

I shqetësuar për erën e rëndë, që sa vinte e bëhej e padurueshme në mjediset e shtëpisë, në lagjen 15 të qytetit juglindor, denoncuesi arriti ta kuptonte se nga vinte vetëm kur bëri zbulimin horror. Mësohet se bashkëshortja e tij vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe u dërgua në Maternitetin e Korçës për ekzaminime mjekësore.

Uniformat blu të Korçës kanë nisur hetimet për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen e rëndë e që për momentin duket e mbuluar nga misteri, nisur edhe nga fakti se nuk ka shumë të dhëna, që do të ndihmonin të kuptohej më tepër. Për shkak të qëndrimit të gjatë në Greqi, burri i cili bëri denoncimin ka mohuar atësinë duke shprehur bindjen se nuk ishte fëmija i tij. Po ashtu, paraprakisht raportohet se çifti ka edhe një fëmijë tjetër të moshës 15-vjeç.