Sport

“In memoriam” Mjeshtrat nuk vdesin, thjeshtë përjetësohen!

Vladimir Grillo një nga ikonat televizive të Shqipërisë në sport, u nda përgjithmonë nga familja, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të profesionit. Vdekja është ajo që ndal jetën e një personi, shpesh papritur dhe në mënyra nga më të dhimbshmet. Por në rastet e personazheve të njohur vdekja, ky fenomen natyror para të cilit të gjithë jemi të pafuqishëm dhe dikur do t’i nënshtrohemi një ditë, nuk mund të zhbëjë atë që se kush nga ne krijon apo ndërton në rrugëtimin e tij.

Në jetë vijmë te gjithë te barabartë, por rrugëtimet, kontributet dhe mënyrat se si i qasemi dhe e jetojmë atë janë te ndryshme. Nuk di kush ta thotë me saktësi, madje as vetë Vladimir Grillo nuk do rriskonte të kishte paramenduar se figura, emri dhe zëri i tij do të mbeteshin në mendjet tona në përjetësi, si tatuazh virtual.

Të vrisje shabllonin dhe sterotipet që kishte krijuar sistemi diktatorial në dekadat e tij në televizionin e kohës që ishte edhe e vetmja dritare komunikimi për shqiptarët, nuk ishte e lehtë.

Të gjithë ishin nën klishe, por Ladi, sikurse e thërrisnin miqtë por edhe ne që dëgjonim komentet sportive të tij për fundjava, muaj e vite me radhë, arriti të “tejkalojë” këtë mur psikologjik edhe pse nuk bënte pjesë te komentatorët dhe gazetarët e bërtishëm apo të zhurmshëm të sportit.

I qartë dhe i kthjellët, korrekt e profesionist ai kishte gjetur çelësin e suksesit për të qenë i gjithëpranuar. Nuk u imponua duke bërë sofizma televizivë, duke u çjerrë apo dhuruar ekstravagancë të panevojshme ose të tepërt. Ishte në ekran e mikrofon jo për të qenë ai protagonisti i panevojshëm, por eventi, ndeshja, lojtarët apo aktorët e tjerë të sportit.

Ruajti të njëjtën staturë profesionale e cila nuk e bëri asnjëherë të vjetër dhe të bezdisshëm, pavarësisht se dekadat shpejt si minutat e një ndeshjeje të bukur në Qemal Stafa apo Pallatin e Sportit të lojërave me dorë iknin.

Grillo nuk e ndau publikun në ata që e pëlqenin dhe ata që e urrenin dhe kjo është të jesh profesionist kalibri, nga ata që “Mjeshtër i madh” e meritojnë në çdo shkronjë të titullit. Sot gazetaria sportive, komenti dhe vetë sporti humbën një pikë të fortë reference dhe dinjiteti, ndërsa përjetësisë iu shtua me një ikonë nderi më shumë. Kjo ikonë quhet Vladimir Grillo. Lamtumirë maestro!  Nga Denis Dyrnjaja