Sport

Inter nuk ndalet, vazhdon me hapa të sigurt rrugën drejt titullit kampion…

Interi duket i papërmbajtshëm në kampionat. Skuadra e Inzagit mposhti mbrëmjen e sotme Salernitanën me rezultatin 4-0, duke “vrarë” kështu garën për titull, teksa tashmë diferenca me ndjekësit më të afërt të Juventusit është thelluar në plot 10 pikë. Inter ka shënuar fitore me rezultat të thellë 4-0 në shtëpi ndaj Salernitanas, në kuadër të javës së 25-të në elitën e futbollit italian. “Nerazzurrët” treguan forcën e tyre që nga fillimi i ndeshjes, duke e dominuar atë plotësisht dhe duke mos i lejuar kundërshtarit që të krijojë raste për gol. Inter kaloi në epërsi në minutën e 17-të me anë të Marcus Thuram, i cili me një goditje të bukur shënon në cepin e djathtë të portës kundërshtare për 1-0. Vendasit nuk u ndalën më kaq, dhe dyfishuan rezultatin vetëm dy minuta më vonë me Lautaro Martinez (19’) i cili shënoi për 2-0 nga afërsia pas asistimit të Carlos Augustos. Ata shënuan edhe një herë tjetër, kësaj radhe përmes Denzel Dumfries (40’) i cili shfrytëzoi një gabim fatal të Guillermo Ochoas për të çuar shifrat në 3-0.

Në fraksionin e dytë të ndeshjes Interi vazhdoi me dominim ku gjeti golin edhe një herë tjetër. Marko Arnautovic (91’) shënoi për rezultatin përfundimtar 4-0 pas asistimit të Denzel Dumfries. Me këtë fitore Interi shkon në kuotën e 63 pikëve në kampionat, dhjetë më shumë se vendi i dytë Juventusi që ka 53 pikë.