Sport

Jo vetëm Calhanoglu, një tjetër mesfushor mungon ndaj Fiorentinës! Shtohen mundësitë për Kristjan Asllanin…

Interi ka fituar Superkupën e Italisë teksa ka mundur në finale Napolin me rezultatin 1-0 në ndeshjen e luajtur në Riad të Arabisë Saudite. Në një ndeshje të dominuar thuajse plotësisht nga zikaltërit, rastet nuk kanë munguar si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën. Por goli do të vinte vetëm në minutën e parë shtesë, kur Lautaro Martinez theu murin e ekipit kundërshtar para portës, duke shënuar golin e vetëm të takimit. Zikaltërit do të rikthehen në Itali me trofeun e parë të sezonit. Në sfidën e radhës, të besuarit e trajnerit Simone Inzaghi do të kenë një duel shumë të vështirë pasi luajnë në udhëtim te Fiorentina. E trajneri italian Simone Inzaghi është me dhimbje koke për këtë takim, pasi nuk do t’i ketë dy futbollistë shumë të rëndësishëm.

Kështu mesfushori turk Hakan Calhanoglu dhe ai italian Nicolo Barella kanë plotësuar numrin e kartonëve dhe nuk do të udhëtojnë me skuadrën drejt Firences, duke bërë që nga treshja e titullarëve të mbetet vetëm Henrik Mkhitaryan. Calhanoglu mori karton të verdhë në udhëtim ndaj Monzës, duke plotësuar numrin, ndërsa Barella u ndëshkua për protestë në finalen e Superkupës së Italisë ndaj Napolit. Me mungesën e dy yjeve të skuadrës, mesfushori shqiptar Kristjan Asllani dhe ai italian Frattesi pritet të zëvendësojnë dy futbollistët në fushë, në një sfidë mjaft delikate për zikaltrit, të cilët do të kërkojnë të marrin fitoren për të mos humbur terren ndaj Juventusit, një javë para derbit të Italisë. Pikërisht në këtë sfidë, të planifikuar për më 4 shkurt, Simone Inzaghi do të mund të rikthejë në fushë si Barellën, ashtu edhe Calhanoglu, të cilët do të kenë mundësi të çlodhen për më shumë se 10 ditë për të qenë në formë optimale në derbin ndaj Juventusit.