Bota

Iran, ndërron jetë adoleshentja që u përplas me policinë se nuk mbante hixhabin!

Ndërron jetë adoleshentja iraniane, Armita Garavand, prej një muaji në koma pas një përplasjeje në metronë e Teheranit me Policinë e Moralit për vendosjen e hixhabit. Ky rast rikthen në kujtesë vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini. E reja gjeti vdekjen në spital, mbi një vit më parë dhe familjarët hodhën akuza se ishte dhunuar nga policia. Kjo çoi në protesta të ashpra, me shumë viktima.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe gazetarët thanë se më 1 tetor, Garavand dhe dy shoqe të saj u ndaluan nga forcat e rendit ndërsa tentonin të hynin pa hixhab në një stacion metroje në kryeqytetin iranian.

Njëra nga shoqet tregoi se agjentët e sulmuan fizikisht 16-vjeçaren, e cila më pas humbi vetëdijen. Ndërsa u rrëzua, goditi kokën.

Fatkeqësisht, ra në koma pasi pësoi dëmtim në tru. Sot ndërroi jetë.

Gjendja shëndetësore e Garavandës nxiti shqetësime në Perëndim dhe në mesin e grupeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, pasi në rrjetet sociale qarkulloi një video. Aty shfaqej duke hyrë në metro, por më tej nuk tregohet se çfarë ndodhi dhe më pas, video tregon vetëm momentin kur nxirret nga metroja.

Ajo që ndodhi me Garavandëm, si dhe sugjerimet se ka pasur një fshehje të rastit nga autoritetet,  po nxit paralele me ngjarjet që çuan në vdekjen e 22-vjeçares, Mahsa Amini, vitin e kaluar. Amini vdiq pak kohë pasi u arrestua me pretendimin se nuk kishte veshur si duhet hixhabin apo shaminë e kokës.

Më herët gjatë këtij muaji, Amini pas vdekjes, si dhe Lëvizja “Grua, Jetë Liri në Iran”, një lëvizje që u krijua pas vdekjes së Aminit, fituan Çmimin Sakharov e që është vlerësimi kryesor për të drejtat e njeriut, i cili jepet nga Parlamenti Europian. Po ashtu, aktivistja iraniane për të drejtat e njeriut, Narges Mohammadi, këtë vit fitoi Çmimin Nobel për Paqen.