Bota Botë e Çuditshme

Ishte e lodhur dhe lutej të vdiste, shuhet në moshën 128-vjeçare personi më i vjetër në botë!

Një grua që thuhet se është personi më i vjetër në botë ka ndërruar jetë në Afrikën e Jugut në moshën 128-vjeçare. Nëna e shtatë fëmijëve, Johanna Mazibuko, vdiq në shtëpinë e saj më 3 mars. E ndjera kishte lindur më 11 maj 1894 dhe u rrit në një fermë misri. Ajo kurrë nuk shkoi në shkollë dhe nuk dinte të lexonte apo të shkruante. Duke folur për mediat, kujdestarja e saj Thandiwe Wesinyana tha se Mazibuko mund të ketë vdekur nga një goditje në tru.

Në ditëlindjen e saj të 128-të Johanna tha se:

Jam e habitur pse jam ende këtu pas kaq shumë vitesh. Pse jam ende këtu? Njerëzit rreth meje kanë vdekur. Kur do të vdes? Çfarë kuptimi ka të jesh gjallë? Bota më ka lodhur, sepse jam ulur këtu duke mos bërë asgjë.

Ajo kishte edhe 11 vëllezër e motra. Dikur në një intervistë e ndjera u shpreh se:

Ne jetonim aq mirë në ferma. Atëherë nuk kishte probleme. Nuk e mbaj mend mirë fëmijërinë time, por mbaj mend një infektim me karkaleca. Kishte të tilla që mund t’i kapnim dhe t’i hanim. Ishte sikur po haje mish. Thjesht, do t’i skuqnim dhe do t’i hanim ato vetë. Unë u rrita shëndetshëm, duke pirë kryesisht qumësht të freskët dhe duke ngrënë spinaq të egër. Tani ha ushqim modern. Jam mësuar me të, por më mungon ushqimi me të cilin jam rritur.

Johanna ka 7 fëmijë, dy prej të cilëve janë ende gjallë dhe ka mbi 50 nipër e mbesa. Mazibuko i mbijetoi të dy Luftërave Botërore, si dhe dy pandemive globale.