Aktualitet Sociale

Ju prezantojmë maturantin e të gjitha 10-ave/ Nxënësi i gjimnazit Qemal Stafa shkëlqeu në provimet e Maturës!

Ai quhet Egnald Çela dhe ka spikatur si maturanti, që në të katër provimet e Maturës Shtetërore mori vlerësimin maksimal, pra notën 10. Në të gjithë vendin tonë, Egnaldi ishte i vetmi me këtë arritje absolute në testimet e muajit të kaluar, të cilëve iu nënshtruan me mijëra maturantë.

Nxënësi i shkollës së mesme “Qemal Stafa” në Tiranë, me një pasion për Inteligjencën Artificiale, ka vendosur që studimet e larta t’i ndjekë në degën e Inxhinierisë.

Sot, ai u prit nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, për të cilën rezultatet e të riut nuk ishin surprizë. Nisur nga rezultatet e shkëlqyera në shkollë, dikasteri që drejton, këtë vit e pati përzgjedhur që të moderonte Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe, të organizuar me shkollat nga e gjithë Shqipëria. Pra, përzgjedhja nuk ishte e rastësishme. Ndërsa i uron suksese Egnaldit, në një postim në rrjetet sociale, ministrja Evis Kushi shkruan:

Një mëngjes plot energji pozitive dhe optimizëm sot me Egnald Çelën, maturantin e gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë, i cili shkëlqeu në Maturën Shtetërore të këtij viti si i vetmi maturant në të gjithë vendin që në të katër provimet u vlerësua me notën 10.00.

Egnaldi nuk ishte surprizë për mua sepse për shkak të rezultateve të tij të shkëlqyera çdo vit në shkollë, u përzgjodh nga Ministria e Arsimit dhe Sportit që të moderojë Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe që organizuam këtë vit me shkollat nga e gjithë Shqipëria.

Të rinj si Egnaldi janë frymëzim jo vetëm për bashkëmoshatarët e tij, por edhe për ne, që të punojmë çdo ditë e më shumë për të rritur cilësinë në arsim, por edhe për të krijuar mundësi të reja për zhvillimin e talentit dhe ambicieve të tyre.

Urimet më të mira dhe suksese për Egnaldin që ka vendosur të studiojë për inxhinieri dhe ka pasion inteligjencën artificiale!