Aktualitet

Kanabis me postë nga Amerika në Shqipëri, një në pranga dhe një në kërkim!

Policia e Tiranës ka goditur një rast të trafikimit të narkotikëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri përmes shërbimit postar. Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të operacionit policor të koduar “Atlanta”, u arrestua një shtetas dhe u shpall në kërkim një tjetër.

I arrestuari është një shtetas i moshës 27 vjeç, ndërsa personi në kërkim, 21. Në njoftimin zyrtar thuhet se këta shtetas kanë trafikuar lëndë narkotike me përqindje të lartë THC, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Shqipëri, me anë të shërbimit postar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 600 gramë Cannabis sativa, me përqindje të lartë THC. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi zyrtar i Policisë Tiranë: 

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune hetimore disamujore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Atlanta”.

Si rezultat u godit një rast i trafikimit të lëndëve narkotike, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar. Për këtë rast u vu në pranga shtetasi I. S., 27 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasit F.L., 21 vjeç.

Këta shtetas kanë trafikuar lëndë narkotike me përqindje të lartë THC, nga SHBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 600 gramë Cannabis sativa, me përqindje të lartë THC.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.