Aktualitet

Karaburuni në flakë, situata del jashtë kontrollit, digjen mbi 200 hektarë pyje!

Situata ka dalë jashtë kontrollit në vatrën e Karaburunit. Lartësia e zjarrit ka arritur deri në tre metra, ndërsa era ka ndryshuar kah, duke riaktivizuar vatrat e shuara gjatë paradites.

Forcat zjarrfikëse kanë ndërprerë punën për momentin, pasi është e pamundur të ndërhyhet në këto kushte. Problematike paraqitet situata edhe në Tragjas, ku po punohet aktualisht, dhe ku harta e hapësirës së përfshirë nga flakët është zgjeruar për shkak të erës dhe temperaturave të larta.

Tre vatra aktive masive raportohen edhe në Selenicë, në terrene të thella dhe të vështira. Në një bilanc paraprak, ka mbi 200 hektarë tokë kullota dhe pyje të djegur. Aktualisht është e pamundur ndërhyrja nga ajri, pasi helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes janë në remont.

Aksioni i zjarrfikësve do të rinisë në mbrëmje dhe gjatë natës.