Bota

Kërcënon me vdekje guvernatoren e Nju Jorkut, vritet nga policia!

Panik në Nju Jork ku një burrë që kërcënoi me vdekje guvernatoren e shtetit, Kathy Hochul, u ekzekutua nga policia amerikane. Siç shkruan New York Post, 60-vjeçari i identifikuar si Paul Hardy nisi të bërtiste jashtë banesës së saj, duke u shprehur se do të ndryshonte qeverinë, duke vrarë guvernatoren e të tjerë zyrtarë dhe më pas do të hidhte botën në erë.

Hardy ishte i armatosur dhe kur agjentët e policisë shkuan në vendngjarje qëlloi i pari, por mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e rendit. Paraprakisht, mësohet se ai ka qenë person i njohur për problemet me drejtësinë.

Sulmet nga qytetarë të armatosur që i blejnë armët në mënyrë të rregullt, por i përdorin për masakra janë një shqetësim në rritje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më i fundit është i datës 4 korrik kur në periferi të Çikagos, një i ri hapi zjarr gjatë një parade me rastin e Ditës së Pavarësisë, në lagjen Highland Park, duke vrarë shtatë persona ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën. Ende të tronditur, banorët e traumatizuar janë në kërkim të ndryshimeve, që do të shmangnin përsëritjen e sulmeve të tilla.

Një gjë e tillë ndodhi, ndërsa në mendjet e shumë amerikanëve janë ende të freskëta ngjarje si ajo e një masakre më 24 maj që vrau 19 nxënës të mitur e dy mësuese në një shkollë fillore në Uvalde të Teksasit. Nuk harrohet as sulmi i 14 majit kur u vranë 10 njerëz në një dyqan ushqimor në Buffalo të shtetit të Nju Jorkut.

Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Joe Biden tha se ai dhe bashkëshortja Jill ndihen të pikëlluar nga ngjarja në ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe se ka ofruar ndihmën e qeverisë federale për komunitetin në Highland Park.

Kohët e fundit kam nënshkruar legjislacionin e parë të rëndësishëm dypartiak për reformën ndaj armëmbajtjes në pothuajse tridhjetë vjet që ka hyrë në ligj, i cili përfshin veprime që do të shpëtojnë jetë njerëzish. Por, ka shumë më tepër punë për të bërë dhe unë nuk do të heq dorë nga lufta kundër epidemisë së dhunës me armë.

Çështja e kontrollit të armëve ka ndarë politikën amerikane, mes demokratëve që kërkojnë masa më të rrepta e republikanëve, të cilët nuk janë në të njëjtën linjë qëndrimi.