Rajoni

Kërkesa e Hovenier për Asociacionin, Prishtina zyrtare asnjë përgjigje!

Prishtina zyrtare po e kalon në heshtje kërkesën e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, që qeveria e Kosovës të iniciojë procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kadri Kryeziu, ish anëtar i  Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, pohoi për REL se kjo gjykatë nuk mund ta shqyrtojë draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe derisa ta dekretojë Qeveria e Kosovës.

Rreth katër muaj më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi në parim një draft-statut për formimin e këtij asociacioni, të cilin e hartoi Bashkimi Evropian. Të njëjtën gjë pranoi pranoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic. Tani, ky hap duhet shqyrtuar edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, për të vërtetuar kushtetutshmërinë e tij, por Qeveria e Kosovës nuk ia ka përcjellë ende. Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë hapi i parë drejt harmonizimit të mundshëm të këtij statuti, pranimit përfundimtar të tij dhe themelimit të Asociacionit.

Asociacioni do t’iu sigurojë, pastaj, serbëve në Kosovë të drejta më të mëdha në vendimmarrje dhe menaxhim. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi të premten se BE-ja nuk është kompetente t’i propozojë Kosovës draft- statut për formimin e Asociacionit, por se e kupton kërkesën e ambasadorit amerikan për t’ia përcjellë atë Gjykatës Kushtetuese.

“Ndoshta, zoti Hovenier e ka pasur fjalën që Kosova të propozojë një draft për Asociacionin. Kjo është një temë tjetër. Unë nuk e kam kuptuar ashtu siç e keni kuptuar ju”, tha Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Profesori Kryeziu megjithatë insiston se dinamika e këtij procesi, në fakt, varet nga Qeveria dhe kryeministri Kurti.