Aktualitet

Këshillimi Kombëtar, mbi 500 mijë qytetarë pjesëmarrës!

Mbi gjysmë milion qytetarë shprehën interesin për Këshillimin e parë Kombëtar. Kryeministri Edi Rama publikon shifrat e atyre që zgjodhën të marrin pjesë duke kthyer përgjigje në tri format e komunikimit: online, me postë dhe në tenda. Në një postim, shefi i qeverisë shkruan:

Mirëmëngjes dhe me një falenderim të megjithëzemërt për mbi gjysmë milionë shprehje interesi për Këshillimin e parë Kombëtar, si edhe duke i siguruar të tërë pjesëmarrësit se zëri i tyre do të dëgjohet me respektin më të madh, ju uroj të gjithëve një fundjavë të qetë!

Kryeministri Rama informon se 563,195 qytetarë shprehën interes për Këshillimin Kombëtar, ku nga këta 340,143 pyetësorë të kthyer me postë, 127,130 e kanë plotësuar online dhe 95,922 në tenda.

Në datën 5 janar të këtij viti, kryeministri Rama njoftoi nisjen e procesit të Këshillimit Kombëtar, përmes të cilit qytetarët do të shprehin mendimin e tyre lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit apo procesin e integrimit europian të vendit.

Vendimi për nismën u mor dhjetorin e kaluar, në mbledhje qeverie e në përfundim të saj, kreu i Ekzekutivit Rama shprehej:

Eshtë më shumë se asnjëherë më parë koha për t’i lënë pas llogoret e sherrit politik dhe për të menduar për gjërat që na bashkojnë përtej shumë gjërave që na ndajnë, në mënyrë që të hedhim hapa të rëndësishëm përpara, duke u këshilluar sëbashku për vendime që kanë rëndësi e që kanë impakt të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë, me jashtë, në ekonominë e shtëpisë sonë, në gjendjen sociale brenda shtëpisë dhe patjetër edhe në përpjekjen jetike të kësaj shtëpie për të thelluar arritjet dhe njëkohësisht adresuar plagët e padrejtësisë në funksion të luftës për drejtësi.