Bota

Kina regjistron sërish rënie të numrit të popullsisë, cilat janë arsyet!

Popullsia e Kinës është zvogëluar për të dytin vit me radhë, duke rritur shqetësimet në vendin me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Të dhënat e publikuara të mërkurën kanë treguar që Kina ka pasur 1.409 miliard banorë deri në fund të vitit 2023 – 2.08 milionë më pak sesa më 2022. Shifrat e fundit janë dyfish më të mëdha sesa në vitin paraprak, të cilat patën shënuar rënien e parë në 60 vjetët e fundit.

Mirëpo, ekspertët kanë thënë se një rënie e tillë ka qenë e pritshme për shkak të zgjerimit të klasit urban dhe zvogëlimit të numrit të lindjeve.

Të mërkurën, Pekini ka thënë se shkalla e lindshmërisë ka rënë në 6.39 për 1.000 banorë dhe trendi është në linjë me vendet tjera të avancuara të Azisë Lindore, Japoninë dhe Korenë e Jugut.

Një arsye tjetër për rënie të numrit të popullsisë ka qenë edhe politika që një familje të ketë vetëm një fëmijë – e cila ka datuar prej viteve 1980 – për të kontrolluar mbipopullimin në atë kohë.

Qeveria e ka pezulluar atë politikë më 2015, me qëllim të shmangies së trendit të rënies së numrit të popullsisë, dhe ka prezantuar masa tjera për nxitje të natalitetit.

Më 2021, autoritetet i kanë relaksuar edhe më shumë masat, duke ua mundësuar çifteve që t’i kenë deri në tre fëmijë. Të dhënat e fundit kanë rritur shqetësimet për ekonominë kineze, pasi ky vend e ka fuqinë punëtore si motorin kryesor për qarkullim financiar.

Ndonëse dikur ka qenë vendi më së shumti popullsi në botë, tani është India vendi që e mban primatin. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, më 2022, India ka 1.425 miliard banorë.