Bota

Kore e Veriut, Kim Jon Un zotohet për rritje të gatishmërisë për luftë!

Lideri koreano-verior, Kim Jong Un bëri thirrje për rritje të gatishmërisë për luftë, për t’i zmbrapsur ato që i cilëson “lëvizje të pashembullta konfrontuese, të udhëhequra prej Shteteve të Bashkuara”. Në anën tjetër, Koreja e Jugut u zotua për hakmarrje të ashpër kundër çdo provokimi prej vendit komunist.

Komentet e liderit Kim, gjatë një takimi politik ku u shpalosën objektivat për 2024-ën dhanë sinjale që Koreja e Veriut do të vazhdojë të kryejë testime për të modernizuar arsenalin bërthamor. Vëzhguesit thanë se Kim dëshiron të shfrytëzojë arsenalin atomik për të rritur pazarin diplomatik me Uashingtonin, nëse do të ketë dialog mes dy palëve, pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Takimet e Partisë Popullore pritet të zgjasin disa ditë dhe detajet e takimeve do të bëhen publike pas përfundimit të sesioneve, më 31 dhjetor. Ekspertët besojnë se Koreja e Veriut pritet të bëjë zotime, si dhe hapa drejt rritjes së kapacitetit bërthamor e zgjerimit të bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën, dy vende që po ashtu e rivalizojnë Amerikën.

Në Seul, shërbimet e Inteligjencës paralajmëruan se “ka shumë mundësi që Koreja e Veriut të kryejë provokime ushtarake dhe sulme kibernetike para zgjedhjeve parlamentare të prillit në Korenë e Jugut e atyre presidenciale amerikane, në nëntor të vitit të ardhshëm”.

Prej vitit të kaluar, Koreja e Veriut ka kryer disa testime raketore, duke shkelur sanksionet e vendosura prej Kombeve të Bashkuara.

Javën e kaluar, shteti komunist testoi raketën më të avancuar që disponon, Hëasong18 dhe beson se ka kapacitete për të goditur tokën amerikane.

Koreano-veriorët besojnë se kanë të drejtë legjitime dhe sovrane për të kryer testime të tilla, duke përmendur stërvitjet ushtarake mes SHBA-ve e Koresë së Jugut, të cilat i konsiderojnë si parapërgatitje për pushtim të tokës së tyre.

Lideri Kim Jong Un ka refuzuar të dialogojë me SHBA-të, prej dështimit të negociatave më 2019-ën me Donald Trump-in kur ishte president i SHBA-ve.

Çështja kyçe në takimet Kim-Trump ka qenë se si mund të hiqen disa sanksione për Korenë e Veriut, në këmbim të çarmatosjes bërthamore së këtij vendi.