Bota

Koreja komuniste ribëhet “e gjallë”, hedh raketë ndërkontinentale!

Për të parën herë që nga viti 2017, Koreja e Veriut testoi një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM). Njoftimin e dhanë zyrtarë japonezë dhe të ushtrisë së Koresë së Jugut. Për më shumë se një orë, raketa fluturoi në drejtim të Detit Lindor, i njohur gjithashtu si Deti i Japonisë, ndërsa arriti deri në 6 mijë km lartësi. Në javët e fundit, vendi komunist i udhëhequr nga Kim Jong Un ka testuar një mori raketash.

Japonia dënoi me forcë hedhjen e raketës, kryeministri Fumio Kishida e quajti testin “të papranueshëm”. Kishida ndodhet në Bruksel për takimin e G7-ës dhe nënvizoi se “duhet bashkërenduar një përgjigje ndaj provokimeve të vazhdueshme të Penianit, në shkelje të rezolutave të Kombeve të Bashkuara”. Ndërkohë, aludoi për më shumë sanksione ndaj Koresë komuniste.

Në këtë drejtim, Japonia do të punojë me Amerikën e Korenë e Jugut!

Seuli reagoi dhe mësohet se pas testit të fundit të fqinjit, Koreja e Jugut hodhi një sërë raketash “strategjike” nga toka, deti e ajri. Ndërkaq, për Shtetet e Bashkuara të Amerikes, ekziston rreziku i destabilizimit. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë theksohet:

Dënojmë Korenë e Veriut për raketën e hedhur! Kjo është një shkelje e turpshme e disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që krijon tensione të panevojshme dhe rrezikon të destabilizojë situatën e sigurisë në rajon.

Po ashtu, në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë theksohet:

Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që të mbajnë përgjegjësi për këto shkelje dhe i bëjmë thirrje Republikës Popullore Demokratike të Koresë që të vijë në tryezë për negociata serioze. Dera nuk është mbyllur për diplomacinë, por Peniani duhet të ndërpresë menjëherë veprimet e tij destabilizuese!

Deklarata përfundon me fjalët:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e tyre dhe të aleatëve të Republikës së Koresë e Japonisë!