Aktualitet

Korridori 8, Xhaçka nga Brindizi: Do të ndihmojë në kthimin e Adriatikut në det që na bashkon

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, po merr pjesë në një takim në katërpalësh mbi rëndësinë e Korridorit VIII, që organizohet në Brindisi. Në një konferencë të përbashkët me Ministrat e Jashtëm të Italisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Xhaçka tha se bashkëpunimi mes vendeve është mënyra më e mirë për të garantuar stabilitetin dhe se Korridori VIII është shumë më tepër se një projekt i thjeshtë infrastrukturor.

“Kënaqësi të punojmë së bashku për të çuar përpara këtë axhendë. Marrëdhëniet Shqipëri-Itali të shkëlqyera, sepse mbështeten në miqësinë e thellë mes njerëzve tanë. Kërcënimet e sigurisë në Evropë, bashkëpunimi mënyra më e mirë për të garantuar stabilitetin. Kënaqësi të shohësh një angazhim kaq të madh për ta bërë Korridorin VIII realitet. Korridori VIII është shumë më tepër se një projekt i thjeshtë infrastrukturor. Ai është parashikuar si një mekanizëm bashkëpunimi dhe integrimi. Do të ndihmojë në kthimin e detit Adriatik në det që na bashkon dhe transformon gjendjen tonë ekonomike. E inkurajuar nga përkushtimi i Italisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Të vendosur për ta çuar këtë ide deri në fund, për të mirën e të gjitha vendeve dhe popujve tanë. ”-tha Xhaçka.

Korridori VIII përbën një nga projektet prioritare për të katër vendet e përfshira, Shqipërinë, Italinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe përfshirja e tij në rrjetin evropian të transportit ka qenë një nga synimet kryesore të qeverive respektive.

Ndërtimi i tij do të bëje të mundur lidhjet rajonale, fqinjësinë e mirë, zhvillimin ekonomik, udhëtimin e shpejtë për njerëzit, bizneset dhe mallrat. Korridori VIII vlerësohet si një projekt i rëndësisë strategjike edhe për BE-në dhe NATO-n.