Aktualitet

Korrupsioni dhe narkotrafiku, SPAK: Mbi 2177 pajisje të vëna në përgjim vitin e kaluar!

Të paktën 2 mijë e 177 pajisje fundore të lidhura me procedime penale specifike u vunë në përgjim vitin e kaluar. Raporti vjetor i SPAK-ut, Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar analizon disa nga treguesit kyç të punës, ndër të tjera edhe këtë aspekt. Pjesën më të madhe të procedimeve penale e mbajnë ato të korrupsionit. Ndërkohë, numri i pajisjeve fundore të përgjuara është më i lartë te çështjet penale të lidhura me grupet e strukturuara kriminale në trafikimin e drogës.

Në vitin 2022, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë çështjet të hetuara për veprën penale të korrupsionit (nenet 244, 245, 245/1, 258, 259, 319, dhe 319/ç, 328) me 69 procedime penale/1023 pajisje fundore; më pas janë çështjet penale të hetuara për veprën penale të grupit të strukturuar kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike (283/a/2, 333/a, 334) me 53 procedime penale/1154 pajisje fundore.

Nga këto, disa procedime janë finalizuar me masa të ndryshme sigurimi nga Gjykata për 160 persona, ku me pikantet mund te përmendim:

Procedimi 141 viti 2021, regjistruar për veprat penale 283/a, 333/a, 334 dhe ne bashkëpunim me agjenci te huaja ligj zbatuese, është finalizuar me ndalimin e 10 personave dhe u sekuestruan në cilësinë e provës rreth 485 kg kokainë.

Procedimi Nr. 187 viti 2020, regjistruar për veprat penale të “korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, u finalizua me arrestimin e 5 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve shtetëror që kanë mbajtur funksione publike” thuhet në raport. Ky proces është përmbyllur në ndalimin e 160 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale.

SPAK ka nënvizuar se gjatë vitit 2022, përveç deklarimit fajtor dhe masës së dënimit me burg apo me kohë prove, është dhënë dhe dënimi plotësues “ndalimi për të ushtruar funksion publik”, në bazë të Nenit 35 të Kodit Penal për 29 persona.

Paralelisht është bërë konfiskimi i dy apartamenteve, një toke me sipërfaqe 314 mijë metra/katror, 2.5 milionë lekë, 52.9 mijë euro, 19.3 mijë dollarë, 1005 paund, 2200 franga. Pasuri të luajtshme janë konfiskuar 18 automjete, 221 aparate celularësh, 6 laptop dhe 1 pajisje dëgjimi./Monitor