Rajoni

Kosova pret 33 mijë doza vaksine të “AstraZeneca”-s këtë muaj!

Këtë muaj, Kosova pret kontigjentin e parë të vaksinave anti-koronavirus nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Eshtë fjala për 33 mijë doza të “AstraZeneca”-s nga mbi 100 mijë të rezervuara për vendin. Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti bëri të ditur se po zhvillohen negociata intensive edhe me prodhues të tjerë për të siguruar sasinë e nevojshme që të mbulohet imunizimi i plotë i popullatës.

Përveçse në rajon, Kosova është i vetmi vend në Europë që deri tani nuk ka nisur vaksinimin ndryshe nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi. Ndërkaq, autoritetet shëndetësore vlerësojnë se “janë para një vale të re të shpërthimit të pandemisë”. Hoti iu bën thirrje qytetarëve e institucioneve, të respektojnë masat anti-COVID. Në javën e fundit u regjistruan rreth 3 mijë e 500 raste të reja.

Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se variantet e reja të koronavirusit janë ende nën vlerësim. Disa variante të reja besohet se janë më ngjitëse, shkaktojnë sëmundje më të rëndë, ka rrezik më të lartë të riinfektimit apo shkaktojnë ndryshim në përbërjen antigjenetike, duke rezultuar në efikasitet më të ulët të vaksinës.

Sipas të dhënave paraprake, sipas OBSH-së, vaksina AstraZeneca është më pak efektive ndaj variantit të shfaqur në Mbretëri të Bashkuar, që shoqërohet me uljen e prodhimit të antitrupave. Ndërkaq, analizat e bëra për variantin e Afrikës së Jugut tregojnë se vaksina e AstraZenecas është më pak efektive ndaj sëmundjes së moderuar dhe të butë dhe po ashtu është vërejtur edhe rënia e antitrupave.

Për dallim nga vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna, që kërkojnë të ruhen në temperatura ultra të ulëta, vaksina e AstraZenecas mund të ruhet në frigoriferë normal në temperaturë prej 2 deri në 8 gradë Celsius.