Rajoni

Kosovë, komunat kërkojnë fond emergjent për dëmet nga përmbytjet!

Nga qeveria Kurti, Asociacioni i Komunave të Kosovës, AKK kërkon sot që t’i mundësojë një fond emergjent pas përmbytjeve nga moti i keq, me reshje të dendura shiu. Për pasojë janë shkaktuar dëme të shumta në ekonomitë familjare, bizneset, infrastrukturën rrugore e jo vetëm. Më të prekura janë komunat Skënderaj, Mitrovicë e Jugut, Istog dhe Klinë. Në një njoftim për media të AKK-së thuhet:

Vërshimet nuk janë problemi i vetëm, pasi gjatë vitit komunat ballafaqohen edhe me fatkeqësi tjera natyrore. Bordi i AKK-së kërkon që fondin emergjent ta menaxhojnë komunat për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të tyre.

Ndërkohë, në komunat më të goditura nga përmbytjet e ditëve të fundit janë formuar komisione për evidentimin e dëmeve. Komuna Skënderaj u është gjendur pranë banorëve duke i ndihmuar me produkte ushqimore dhe të higjienës.

Sipas kryetarit të Skënderajt, Fadil Nura, “dëmet nga vërshimet janë shumë të mëdha”, ndaj gjatë një takimi që pati sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, drejtuesi vendor kërkoi përkrahjen nga pushteti qendror për riparimin e tyre.

Komuna e Klinës ka ftuar qytetarët që të paraqiten në Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente nga dita e nesërme e deri më 30 janar, për plotësimin e formularëve që të bëhet vlerësimi i dëmeve.

Komuna e Mitrovicës së Jugut bëri të ditur se mori përsipër që brenda mundësive financiare të bëhet kompensimi i dëmeve, por sipas pushtetarëve lokalë atje, në një gjendje të tillë, presin reflektim e mbështetje edhe nga qeverisja qendrore.

Dy ditë më parë, kryeministri Kurti premtoi se qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore do t’iu ofrojnë ndihmë banorëve të prekur nga moti i keq me përmbytje. Vazhdimisht, shirat e rrëmbyer shkaktojnë vërshime në vend. Sipas Institutit Hidrometeorologjik, reshjet e shiut me intensitet të ndryshuar, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri në datën 25 janar.