Rajoni

Kosovë, sot 23-vjetori i Masakrës së Reçakut!

Në Kosovë sot shënohet 23-vjetori i Masakrës së Reçakut ku forcat serbe të Millosheviçit, vranë mbi 45 njerëz të pafajshëm më 15 janar 1999. Në kompleksin memorial në Reçak, zhvilluan homazhe drejtuesit më të lartë të vendit: presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti. Homazhe kryen edhe politikanë të subjekteve opozitare.

Kryetarja e shtetit u shpreh:

Sot në vendin e ngjarjes, te Kodra e Bebushit, aty ku ndodhi masakra në Reçak, dëgjuam rrëfimet e tmerrit të të mbijetuarve të masakrës. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!

Kryeministri Kurti:

Fushata e vrasjeve masive si në Reçak ndodhte në çdo komunë të Kosovës. Kjo histori nuk mund të harrohet e as të rishkruhet. Vrasja e qëllimshme nga forcat e armatosura të shtetit të Serbisë, ishte forma më e shpeshtë sipas mënyrës së ekzekutimit. Mohimi është faza e fundit e genocidit. Mohimi vret dinjitetin e të mbijetuarve dhe kërkon të shkatërrojë kujtimin e krimit. Ne jemi kundër hakmarrjes e refuzojmë të harrojmë!

Pjesë e ceremonive është edhe një akademi përkujtimore në Shtime.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku:

15 janari i vitit 1999 është një ditë e shënuar thellë në kujtesën jo vetëm timen po në kujtesën kolektive tonë si komb. Eshtë ditë e dhimbjes së madhe por në të njëjtën kohë është edhe ditë e kthesës së madhe, është ditë e cila preku ndërgjegjen e botës së qytetëruar dhe e rreshtoi botën demokratike në krahun tonë. Eshtë për të ardhur keq që 23 vite pas Masakrës së Reçakut ende nuk kemi kërkim falje, ende nuk kemi pendesë nga ana e shtetit serb!

Ndërkaq, ambasadori i SHBA-ve Jeffrey Hovenier tha se “mohimi i kësaj masakre nga Serbia, synon të shkatërrojë kujtimin e popullit shqiptar”.

E mbaj mend krejt shumë mirë si zyrtar i misionit amerikan, kisha një lidhje me Walker. E në përgjigje të këtyre mizorive, Amerika veproi për të mbrojtur këta civilë të pambrojtur. Të gjithë popujt meritojnë dinjitetin për të jetuar për liri. Ky ishte një akt vrasës i qëllimshëm që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës.

Ish-shefi i misionit të OSBE-së, ambasadori William Walker ka kujtuar viktimat e Reçakut 23 vjet më parë, duke thënë se çdo vit nga 1999, është rritur rëndësia për atë çfarë ka ndodhur në Reçak.