Bota

Kremlini thotë se nuk planifikon mobilizim të ri ushtarak!

Kremlini deklaroi sot se nuk është duke u planifikuar një mobilizim i ri për luftën në Ukrainë, ndërsa nga Rusia shtohen raportimet se studentëve po u dërgohen njoftime për të shkuar në front. Sulmet ruse në Ukrainë e që vazhdojnë prej muajit shkurt të vitit të kaluar janë bllokuar në betejën në lindje të territorit ukrainas. Para gazetarëve, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi:

Nuk ka bisedime në Kremlin për ndonjë valë të re mobilizimi!

Peskov foli pasi në raportimet e mediave ruse është thënë se studentët janë duke marrë njoftime për t’iu bashkuar ushtrisë. Thirrjet vijnë si në Moskë, ashtu dhe në disa qytete të tjera të vendit.

Për të qenë i sinqertë, kjo është hera e parë që dëgjoj diçka të tillë. Çfarë njoftimesh? Sinqerisht, nuk e di!

Pas dërgimit të trupave ushtarake në Ukrainë, në muajin shtator, presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi një “mobilizim të pjesshëm ushtarak”, me qëllim përforcimin e ushtrisë. Njëherazi ky ka qenë mobilizimi i parë ushtarak që ka ndodhur në Rusi, prej kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Qindra mijëra burra janë rekrutuar, ndërsa qindra mijëra të tjerë kanë ikur nga shteti rus. Peskov ka thënë se është duke vazhduar puna për modernizimin dhe dixhitalizimin e sistemit rus të rekrutimit, lidhur me “detyrimin kushtetues të shtetasve rusë për të kryer shërbimin ushtarak”.

Javën e kaluar, Putin firmosi një ligj për krijimin e një sistemi të rekrutimit, që përcakton ndalim për burrat që të largohen nga shteti, në rast se e shpërfillin ftesën. Në mesin e ndëshkimeve të tjera, për ata që nuk përgjigjen është përmendur edhe pamundësia për të marrë kredi, për të regjistruar pronën apo për të hapur një biznes.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.