Celebrities Film & Tv Live From Tirana

Kristina Mere në një intervistë ekskluzive për TAR, gazetarja që qëndron pas ‘reality show’ më të rëndësishme në Top Channel!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar në studio gazetarja Kristina Mere, e cila është pjesë e disa prej ‘reality show’ më të rëndësishme në Top Media siç janë “Dua të të bëj të lumtur”, “Big Brother Vip”, “Më lër të flas” dhe “Hell’s Kitchen”. Si është gjendur Kristina në këto projekte, si ka nisur e gjithë gjëja për të?

Ka nisur direkt sapo mbarova universitetin e gjithë rrugëtimi në Top Channel. Më ka dhënë mësim profesor Eno Popi dhe ka zgjedhur disa studentë për të bërë një intervistë për në televizion. E bëra, u pranova dhe çdo gjë rrodhi natyrshëm. Në “Dua të të bëj të lumtur” kam pasur sikletin se si do ta përjetoja nga ana emocionale. Ndërsa me kalimin e kohës arrita ta bëjë mirë filtrimin që mos të përfshihesha shumë. “Big Brother Vip” ka qenë shumë impenjativ, është më intensiv dhe më i lodhshëm se programet e tjera. Kemi pasur edhe kërcënime, edhe tek “Dua të të bëj të lumtur” ka pasur pakënaqësira që vijnë kryesisht nga familjarët, sepse flitet për histori që janë paksa delikate.

Sa real janë këto ‘reality show’?

Sa i përket “Big Brother Vip”, është shumë real dhe shumë i vërtetë sepse nuk ke asnjë mundësi dhe asnjë lloj forme që të krijosh skenarë për banorët që të krijojnë situata apo ngjarje të caktuara. “Vëllai i Madh” në dhomën e rrëfimit luan rolin e psikologut dhe ka një rol të rëndësishëm për banorët. Aty ka aq shumë kamera sa është e pamundur të shpëtojë diçka. Ka një kontroll rreptësisht maksimal. Çdo gjë që banorët kanë bërë e kanë pasur të mirëmenduar, e dinë që janë brenda një formati televiziv dhe e kanë një vetëkontroll.

Sa e bën një ‘reality show’ të mirë një skaletë e mirë?

Shumë. Të bësh një skaletë apo një lloj skenari që të ndihmon të vendosësh pikat rreth asaj ngjarje që do të diskutohet dhe është gjë tjetër që të bësh një skenar se si t’i ndikosh ata të sillen. Nuk është bërë kurrë në “Big Brother” por thjesht ka pasur skaleta.

Sa i përket emisionit “Më lër të flas”, cila është gjëja me sfiduese për Kristinën?

Për mua në pozicionin si kryeradaktore që jam është të bëjë një lidhje të mirë të përmbajtjes që del në transmetim, të skaletës, editoriali, lojërat e çunave, intervistat dhe të bëjë lidhjen e duhur më të gjithë këto pikat. Kjo është sfidë për mua. Mendoj që jemi në rrugën e duhur. Është pak e vështirë pjesa e të ftuarve, por jo se ka shumë naze. Ka qenë rastësore pjesa e të ftuarve deri më tani.