Bota

Kryeministri i Holandës shton sigurinë, frikë dhe kërcënime nga një grup kriminal droge!

Kërcënimet ndaj tij dhe frika e një sulmi të mundshëm nga një bandë kriminale droge e njohur për autoritetet, kanë bërë që kryeministri i Holandës, Mark Rutte të shtojë sigurinë.

Edhe pse ngjarjet në të cilat përfshihen armë në Holandë janë të rralla, vrasjet lidhur me tregtinë e drogës janë bërë të zakonshme vitet e fundit.

Një burim qeveritar, duke folur në kushte anonimiteti, konfirmoi raportin në gazetën “De Telegraf”, e cila bëri dhe publik lajmin se autoritetet holandeze të sigurisë kombëtare nuk pranuan të komentojnë lidhur me këtë.

Rutte i pyetur për raportin tha se “Siguria dhe mbrojtja janë çështje të cilat nuk diskutohen asnjëherë në publik”.

Kreu i partisë Konservative që ka për qëllim “goditjen” e krimit të organizuar, ka kërkuar gjithmonë që të mbajë në nivele të kufizuara mbrojtjen personale, që nga fillimi i marrjes së detyrës së tij si kryeministër 11 vite më parë.

Rutte shihet shpesh duke përdorur biçikletën nga shtëpia e tij drejt punës, dhe shpesh takohet dhe bisedon me kalimtarët.

Në korrik të këtij viti, një gazetar i njohur i kronikës së zezë Peter R. de Vries u qëllua në mes të ditës në Amsterdam.