Aktualitet

Kryeministri Rama për fermerët: “Koha e subvencioneve pa kriter, ka perënduar!”

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Eshtë koha që të gjithë të vetëdijesohen se koha e bujqësisë së lëmoshës, e bujqësisë së mbijetesës, e bujqësisë së subvencioneve pa kriter dhe pa karar ka perënduar”. Rama i bëri komentet në aktivitetin që u mbajt në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për fondin e garancisë sovrane në dispozicion të fermerëve, për të financuar kolateralin e kredive të bujqësisë, pjesë e paketës mbështetëse prej 4 miliard lekësh.

Sot është me shumë rëndësi që jemi këtu së bashku dhe që nga drejtime të ndryshme, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga partnerët tanë jepet një mesazh domethënës për të gjithë sektorin e bujqësisë dhe të gjithë aktorët e angazhuar në zhvillimin rural, lidhur me mundësinë e re që është krijuar që prej vitit 2016. Me këtë ndërhyrje tjetër të qeverisë shqiptare për të garantuar kreditë e fermerëve apo sipërmarrjes bujqësore, insistohet në mesazhin se: është koha që çdo ditë ata që janë të angazhuar në prodhimin bujqësor të mendojnë me sytë nga e ardhmja dhe jo me mendjen tek e shkuara!

Eshtë koha që të gjithë të vetëdijesohen se koha e bujqësisë së lëmoshës, e bujqësisë së mbijetesës, e bujqësisë së subvencioneve pa kriter dhe pa karar ka perënduar. Ashtu sikundër ka perënduar dhe koha e bujqësisë vetmitare. E atyre që mbeten thjesht dhe vetëm në kufijtë e ngastrës së tyre. Pasi është realisht e pamundur sado që të bëjë qeveria, shteti për ta, që të garantohet një e ardhme më e mirë, apo që e tashmja të ketë një pamje tjetër nga pamja e një mbijetese torturuese.

Kryeministri bëri të ditur se me BERZH-in, alokuan 180 milion euro, për të ndihmuar sektorë jetikë si bujqësia dhe turizmi, duke lehtësuar financimin tyre.

Ajo që kemi sot para syve nuk është një arsye për të qenë plotësisht të kënaqur, por është një arsye për të qenë plotësisht të bindur se kjo është rruga. Janë 6 mijë përfitues nga fondi i garancisë dhe janë 72 milion euro të disbursuara nga ky fond. Mbetet ende në dispozicion një pjesë e konsiderueshme e fondit. Ashtu sikundër vihet në dispozicion nga qeveria shqiptare një fond tjetër garancie sovrane për të mundësuar vazhdimin në këtë rrugë dhe për të mundësuar rritjen e kreditimit të bujqësisë.