Gossip Showbiz

Kultivonte kanabis në banesë, arrestohet Enca! Këngëtarja: Jam përdoruese

Policia e Tiranës arreston këngëtaren Ruenca Haxhiaj, e njohur me emrin si Enca nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike. Efektivët e Komisariatit nr. 1 pasi morën informacione, ushtruan kontroll në banesën e kësaj të fundit ku në ballkon gjeti 5 vazo të mbjella me kanabis të mëdha.

Pas arrestimit, këngëtarja ka thënë se është përdoruese dhe e ka për përdorim vetjak.

Bashkë me të është kapur dhe i dashuri i Encës. Banesa e këngëtares ndodhet në afërsi të TEG në një vilë private.

Njoftimi i Policisë Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Balcony”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Kishte kultivuar bimë narkotike, në vazo, në ballkonin e banesës së saj, vihet në pranga 27-vjeçarja.

Sekuestrohen bimët narkotike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetase kishte kultivuar bimë narkotike, në ballkonin e banesës së saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Balcony”.

Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasja R. H., 27 vjeçe, banuese në Lundër.

Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçares, në ballkon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.