Sport

Kupa e Shqipërisë, sot gjysmëfinalja Vllaznia-Partizani!

Vllaznia-Partizani është sot dueli i madh i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, përballje mes dy ekipeve që edhe në Kampionat janë në një garë të fortë për një vend në zonën europiane të klasifikimit. Po ashtu, Kupa përbën një tjetër mundësi që u jepet për të marrë pjesë në Conference League.

Vllaznia, fituesja në fuqi e trofeut, synon të mos zbresë nga froni, megjithatë nuk do ta ketë aspak të lehtë ndaj Partizanit, që fitoren e Kupës e sheh si një anije për të shpëtuar sezonin. Më 24 korrik të vitit 2020 daton fitorja e fundit e skuadrës së Partizanit ndaj Vllaznisë, që pas asaj sfide ka qenë e pamposhtur në shtatë takime radhazi, pa ndërprerje.

Te Vllaznia i gëzohen faktit që janë rikuperuar Fjoart Jonuzi, Da Silva, Liridon Latifi e Ardit Hoxhaj, ndërsa kapiteni Erdenis Gurishta nuk ia doli të jetë gati për këtë takim e në diskutim është Ardit Krymi.

Trajneri Elvis Plori e vlerësoi Partizanin dhe theksoi se skuadra e tij duhet të harrojë humbjen me Egnatian e të marrë maksimumin në këtë sfidë të Kupës. Ai kërkon fitoren e parë në krye të skuadrës kuqeblu, për të lënë pas periudhën jo të mirë që po kalon ekipi me dy humbje radhazi dhe vetëm një fitore në 6 ndeshjet e fundit. Përkrah Plorit ishte Liridon Latifi, i cili theksoi se “po punohet shumë për këtë ndeshje” dhe se ai vetë si objektiv personal ka fitoren e këtij kompeticioni, të cilin nuk mundi ta fitojë kur ishte pjesë e Skënderbeut.

Sfida gjysmëfinale mes Vllaznisë e Partizanit luhet në orën 17:45 në “Elbasan Arena” dhe do të transmetohet në platformën Digitalb.