Aktualitet Bota

“Kur je komshi e të lidh mbrojtja e Vjosës”, fjalët e kryeministrit Rama për Leonardo Di Caprio-n!

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto në rrjetet sociale duke biseduar me aktorin e njohur të Hollivudit, Leonardo Di Caprio. Rama po merr pjesë në Konferencën e Klimës në Glasgou të Skocisë.

Kur je komshi me Leonardo Di Caprion dhe të lidh mbrojtja e Vjosës!

Një vit më parë aktori i njohur amerikan, vlerësoi vendimin e qeverisë, për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Vjosë dhe kthimin e saj në një park kombëtar. Ndërkaq, dy vjet më parë, ylli hollivudian iu bashkua nismës për mbrojtjen e lumit Vjosa, kundër ndërtimit të hidrocentraleve.

Në rrugën e tij, mbi 270 kilometra, lumi i Vjosës karakterizohet nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj e kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.
Ndërkombëtarisht, të veçantë e bën fakti se thuajse të gjitha degët e tij rrjedhin të pandërprera e të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë, si diçka që nuk haset më aktualisht në Europë.

Konferenca e Glasgout i kushtohet ndryshimeve të klimës e më shumë se 100 liderë botërorë do të nënshkruajnë një marrëveshje historike për të mbrojtur dhe restauruar pyjet e Tokës. Këtë e deklaroi qeveria britanike, sot në ditën e dytë të samitit të ndryshimeve klimatike në Skoci. Udhëheqësit e shteteve që mbulojnë 85% të pyjeve të botës do të zotohen të ndalojnë dhe të kthejnë shpyllëzimin e degradimin e tokës deri në vitin 2030. Angazhimi u mirëprit nga aktivistët dhe ekspertët.

Ndërkaq, ishte pikërisht në Glasgou që presidenti amerikan Biden bëri xhiron e botës me videon ku shfaqej i përgjumur dhe për këtë fakt u thumbua nga ish-presidenti Trump, i cili e akuzoi se “nuk i merr seriozisht gjërat”. Madje, edhe kur në diskutim janë tema madhore si mbrojtja në nivel global nga ndryshimet e klimës. Ndalesa në Glasgou e Biden-it është e dyta në Europë, pas asaj në Romë të Italisë ku qëndroi 48 orë.