Aktualitet

Kursimi i naftës dhe energjisë, 21 marsi pushim/Rama: “Problemi më i madh, mungesa e tyre!”

Qeveria vendosi që dita e hënë, 21 mars, të bëhet pushim për punonjësit e administratës, në kuadër të planit të kursimit të naftës dhe energjisë. Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Rama, në një takim me përfaqësues të shoqatave të transportit. Gjithashtu, Rama u ndal te rritja e çmimit të naftës dhe energjisë e te problemi i mungesës në treg. Kryeministri solli në vëmendje një plan me 10 pika të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë për kursimin e energjisë dhe të naftës.

Dy prej këtyre pikave ne i kemi diskutuar dhe i kemi në draft planin tonë të kursimeve të energjisë dhe naftës. Agjencia përmendte një gjë që ne e kemi diskutuar dhe do ta bëjmë. Ne kemi vendosur në mbledhjen e qeverisë që dita e hënë të jetë pushim dhe do të bëjmë një tjetër mbledhje qeverie që ta bëjmë ditën e hënë pa makina, për të kursyer, jo për ekologji. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka caktuar ditën e diel pa makina. Po ashtu plani ka edhe 3 ditë mosvajtje në punë dhe punë nga shtëpia si në kohën e pandemisë për shkak kursimi. Kjo është situata!

Qeveria ka vendosur 500 milion lekë për kompensimin e rritjes së çmimit të biletës në transportin urban qytetas dhe ndërqytetas, që qytetarët përdorues të këtij transporti të mos preken financiarisht nga pasoja e luftës mbi çmimin e karburantit. Rama vuri në dukje se “edhe sikur shoqatat e transportit të rrisnin çmimin e biletës, sërish kapaciteti i tyre për të rezistuar do të ishte i dobët”.

Ndaj ne vendosëm 5 milion dollarë për të kompensuar diferencën dhe për t’ju kërkuar të mos prekni në këtë fazë kaq delikate çmimin e biletës. Nga pikëpamja e modaliteteve kjo është përgatitur, por është shumë e rëndësishme që të vazhdojë shërbimi.

Kryeministri theksoi se “aktualisht, problemi më i madh mbetet mungesa e naftës dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare”.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë doli zyrtarisht me një lajm që nuk është pozitiv dhe konfirmon atë që ne kemi përmendur disa herë. Problemi në këtë situatë nuk është kaq sa shohim ne, sepse ndërkohë që ne diskutojmë çmimet, rreziku me naftën dhe energjinë është mungesa në treg. Zyrtarisht sot, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka paralajmëruar mundësinë e shoku më të madh të furnizimit me naftë në dekada.

Me kufizimin e furnizimit me ujin, Bashkia e Fierit nis Planin e Kursimit të Energjisë Elektrike.

Jemi duke përjetuar një situatë të vështirë energjetike, e cila ka përfshirë të gjithë rajonin. Kjo situatë na prek të gjithëve. Secili prej nesh duhet të limitojë konsumin e energjisë në punë e familje, pasi çdo kw i kursyer vlen në këtë kohë. Për ketë arsye edhe Ujësjellës Kanalizime Fier, në bazë të një plani të mirëmenduar dhe të mirëstudiuar, për të kursyer energji, por edhe për të mos rritur çmimin e ujit si efekt i krizës energjetike do të nisë aplikimin e kufizimit të furnizimit me ujë, deri në përmirësimin e situatës. Shpresojmë në mirëkuptimin tuaj, gjithashtu edhe që kjo situatë të kalojë sa më shpejt!