Rajoni

Kurti: “Jo stabilitetit të krimit të organizuar në rajon!”

Një ditë pas aksionit të policisë e doganave të Kosovës kundër kontrabandës së mallrave, Kryeministri Albin Kurti tha sot se “nuk mund të ketë stabilitet të krimit”. Kurti kërkoi të mos politizohet aksioni i djeshëm në Pejë, Prishtinë, Mitrovicën e Veriut dhe atë të Jugut ku sipas tij, bashkëpunojnë kriminelë shqiptarë e serbë.

Mendoj se është shumë keq të politizohet lufta jonë kundër krimit. Duhet të bashkëpunojmë në Ballkanin Perëndimor kundër krimit të organizuar, i cili është shumë më i integruar nga ne.

Shefi i qeverisë së Prishtinës komentet i bëri në Shkup, në samitin e “The Economist”.

“Të njëanshëm dhe të pakoordinuar” e quajti shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell, aksionin e policisë së Kosovës kundër kontrabandës. Ai kërkoi që veprimet e dhunshme në veri të Kosovës, të ndalen menjëherë dhe tha se “të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të zgjidhen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”.

Por qortimet e Borrell-it janë pasuar nga kritika të shumta.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon u shpreh se në fakt, kryediplomati europian, duhet të kritikojë shtetet ku nuk po zbatohet sundimi i ligjit dhe shtoi se aksionet ditore të Policisë, nuk i takojnë dialogut.

Ju lutem, kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë vendet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja, nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë.

Edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, reagoi ndaj deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë të Bllokut për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë. BE-ja po e tregon edhe një herë “paaftësinë” e saj në lidhje me Kosovën, ndërsa Borrell duhet të njihet me realitetin se veriu, drejtohet nga banda kriminale. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se “të tilla aksione ka çdo ditë dhe është e gabuar të mendohet se duhet bashkëpunim me Beogradin, për të luftuar krimin dhe kontrabandën”.