Design Lifestyle Travel

Kush nuk ka qenë akoma duhet të përjetojë të paktën një herë ‘magjinë’ e Treviso-s!

Vjeshtë italiane mes rrugëve të Trevisos, artit të Rilindjes dhe kulinarisë së rrallë që ofron kjo qytezë e vogël, qoftë edhe për pak orë qëndrimi. Treviso është një portë që të çon drejt Venecias, por edhe thuajse në çdo cep të Italisë. Qyteza e vogël shtrihet në zemër të fushës veneciane, me kodra të vogla plot gjelbërim nga vreshtat, ku në majë të tyre gjenden edhe disa nga vendet më të famshme si Piazza Duomo, Piazza dei Signori dhe Piazza Sant’Andrea, rreth të cilave është ndërtuar qyteti.

Edhe pse njihet më së shumti se fton mijëra turistë të hyjnë në Itali përmes aeroportit, autobusëve dhe anijeve, Treviso është një qytet historik me ndërtesa të mahnitshme që i përkasin periudhës së Rilindjes, kisha me afreske dhe arkitekturë unikë, ujra termale dhe një menu e pafundme zgjedhjesh, qoftë edhe përmes një ndalese të shkurtër, të cilën mund ta realizoni sapo të keni zbritur avionit të AlbaWings.

Portat dhe muri i qytetit janë shembuj të shkëlqyeshëm të artit dhe arkitekturës. Niseni vizitën nga qendra historike, e cila identifikohet lehtësisht nga muret dhe porta mesjetare, rrugët e ngushta me kalldrëm të gurtë, harqet me tulla të kuqe, kanalet e vegjël që duket sikur rrëshqasin poshtë shtëpive dhe kopshtet e gjelbëruara gjatë gjithë vitit. Zemra e qytetit dhe vendtakimi i të gjithëve në Treviso është Piazza dei Signori, Palazzo dei Trecento dhe Loggia dei Cavalieri.

Ngado që të ecni, do të pikasni sesi arkitektura rrugore drejtohet drejt detit, aty ku zënë fill anijet e peshkatareve që e ndërtuan qysh në krye të herës këtë qytezë, prej nga do të ndieni në çdo moment aromën detare dhe peshkun e sapo nxjerrë në breg. Të dy lumenjtë, Sile dhe Cagnan, kalojnë nëpër rrugët e qytetit duke i dhënë një bukuri të veçantë qendrës historike, ku më uniket janë kanali Buranelli dhe Ishulli i Peshkimit, i krijuar në lumin Cagnan.

Pas fasadave të ndërtesave fshihet një thesar i vëtetë artistik, ku katedralja kryesore e qytetit, ajo e Shën Pjetrit, është më mbrësëlënësja; për kolonadën, afresket e sidomos për 7 kubetë të cilat ajo përban. Një monument që bie në sy është Duomo, brenda Chapel Malchiostro, me afresket e Pordenone, ku spikat “Lajmërimi” i Tizianit. Po aq e denjë për t’u vizituar është Kisha Domenikane e San Nicolò, me sallën e famshme të Kapitolinës me afresket që kanë si autor Tommaso da Modena.

Ushqimi si në të gjithë Italinë është i përsosur dhe delikat, por Treviso krenohet me lakrën e kuqe dhe atë të bardhë, një prodhim i rrallë vendas, asparagu i bardhë dhe djathi i famshëm Casatella.

E nuk ka sesi të ndodhë ndryshe që në një qytet peshkatarësh, peshku dhe qindra mënyra të gatimit të tij janë specialiteti i Trevisos, pa harruar të gjitha produktet e tjera marine, të marinuara apo të skarës, të gatuara me vaj ulliri.

Qyteti nuk ka sesi të mos krenohet me verën vendase Prosecco, e cila prodhohet në vreshtat aty afër, sepsë vetëm ata janë verëbërësit më të mirë, duke vijuar të prodhojnë shpesh edhe në kushte artizanale. Pjatat që mund të porosisni janë tipike: Rizoto me bizele dhe Supën me Pëllumba, janë për të lëpirë gishtat!