Aktualitet Politikë

Kuvendi mblidhet pas zgjedhjeve, Balla: Opozita të bashkëpunojë/Dule: Lironi Belerin dhe Kokaveshin!

Sot në të parën seancë plenare pas zgjedhjeve vendore e që zgjati më pak se një orë, maxhoranca apeloi që pavarësisht rezultatit zhgënjyes, opozita t’i rikthehet punës në Kuvend. Shefi i grupit socialist, Taulant Balla bëri thirrje të punojnë bashkë për një sërë çështjesh ku merr rëndësi bashkëpunimi maxhorancë-opozitë, duke veçuar Reformën Zgjedhore. Sot në rend dite ishte miratimi i dy projektligjeve që kanë të bëjnë me ratifikimin e marrëveshjeve për zhvillimin e integruar rajonal dhe ndërtimin e urës ndërkufitare mbi lumin Buna. Ato u miratuan dhe pas votimit, opozita u largua nga salla.

Në Kuvend, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule kërkoi lirimin e Fredi Belerit e të Pandeli Kokaveshit, të arrestuar më 12 maj për blerje të votave. Kreun e zgjedhur më 14 maj të Bashkisë Himarë, Dule e cilësoi “të burgosur politik”, sipas tij, “i rrëmbyer nga sekti i Rilindjes dhe i marrë peng nga kryeministri Edi Rama”. Ai e quajti “absurd” arresimin në flagrancë të Belerit për dyshime.

Theoharis Lalakos, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, në mesditë ishte në mjediset e paraburgimit të Vlorës dhe ka patur një takim me Fredi Belerin. Bëhet e ditur se takimi zgjati rreth 20 minuta e më pas, zyrtari i Athinës u pa të largohej. Në mënyrë të përsëritur, Greqia ka kërkuar lirimin e 50-vjeçarit Beleri që në vendoret e katër ditëve më parë fitoi me rezultat shumë të ngushtë votash përballë rivalit socialist, Jorgo Goro.

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT pezulloi shembjen e një hoteli në fshatin turistik të Dhërmiut, në Himarë. Punonjësit me mjetet përkatëse u tërhoqën sot për shkak të sezonit turistik e siç mësohet dhe të ankesave të pronarëve të hoteleve përreth zonës. Ata kërkuan të shmangen zhurmat pasi në këtë zonë ka turistë.

Po ashtu, mësohet se aksioni i pezulluar sot për shembjen e hotelit në Dhërmi do të ndërmerret pas përfundimit të këtij sezoni turistik. Por, pronarët e cilësuan “sulm të qeverisë”, me pretendimin se mbështetën kandidaturën e Fredi Belerit.