Sport

Laçi mposht Kastriotin, siguron vendin e dytë!

Laçi siguron pjesëmarrjen në Conference League edicionin e ardhshëm, pasi mundi me përmbysje Kastriotin me rezultatin 4-1 në takimin e kësaj të diele. Skuadra e Shpëtim Duros siguron matematikisht vendin e dytë në renditjen e përgjithshme. Pozicion historik për skuadrën kurbinase, që asnjëherë më parë nuk ka qenë forcë e dytë e kampionatit. Kastrioti në anën tjetër edhe pse shënoi i pari me Ajazin, nuk arriti që të marrë një rezultat pozitiv, teksa pësoi humbjen e dytë radhazi, duke mbetur në vendin e gjashtë në kuotën e 43 pikëve.

Pjesa e parë e kësaj përballjeje u dominua thuajse e gjitha nga vendasit, të cilët patën raste të njëpasnjëshme megjithatë golin e parë e realizuan krutanët me Ajazin në minutën e 38-të, i cili shënoi nga pika e bardhë e penalltisë. Ky avantazh zgjati vetëm dy minuta,pas në të 40-ën Adeleke barazoi. Ndërsa vetëm pas 3 minutave të tjerë Laçi përmbysi rezultatin me Julian Shehun, që padyshim ishte në super formë në këtë sfidë.

Në fraksionin e dytë kurbinasit ishin edhe më të pandalshëm, pasi kërcënuan thuajse në çdo minutë portën e Salit dhe ia dolën që të realizonin “poker” me golin e Dean Zarubicës, i cili shënoi në minutën e 89’. Megjithatë nëse nuk do të ishte për portierin Sali rezultati i kësaj përballje do të ishte shumë më i thellë.

Pas javës së 33-të të Abissnet Superiore Laçi “blindon” vendin e dytë në renditje me 60 pikë, 11 më shumë se Partizani i vendit të tretë, ndërkohë kanë mbetur edhe tre javë nga mbyllja e sezonit, teksa Kastriotit qëndron në vendin e gjashtë me 43 pikë të grumbulluara, duke mos qenë ende i sigurt për mbijetesën.