Sport

Laçi përmbys Partizanin në kryeqytet, edhe kurbinasit në garën për “Final Four”!

Laçi mposht Partizanin në kryeqytet teksa të kuqtë edhe pse e nisën mirë ndeshjen në fund u përmbysën me shifrat 2-1.

Ishte skuadra e drejtuar nga trajneri Orges Shehi që kaloi e para në avantazh falë një goli të Mensah. Sulmuesi fitoi duelin ajror në zonën kundërshtari dhe mposhti portierin Dajsinani.

Në vijimin e pjesës së parë, Melo pati dy mundësi të mira për Laçin, por pa mundur t’i shfrytëzonte. Kështu, pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-0 në favor të vendasve, ndërsa në të dytën, kurbinasit ishin më të orientuar drejt sulmit në kërkim të golit të barazimit.

Gol që erdhi në minutën e 83 falë një goditje të fortë nga Sobowale brenda zone dhe që nuk i la mundësi reagimi portierit Qirko. Por, nuk mbaroi me kaq pasi në minutat shtesë, ishte Tresa që realizoi golin e fitores për kurbinasit e Mirel Josës që marrin një trepikësh i cili “ngjall” shpresat e bardhezinjve për një vend në top katërshe.

Pas kësaj disfate, Partizani mbetet në vendin e dytë me 35 pikë, tetë më pak se kryesuesit e Egnatias. Nga ana tjetër, Laçi renditet në vendin e pestë me 25 pikë, pesë pikë larg Tiranës së vendit të katërt.