Aktualitet

Lamtumirë piktorit Sali Shijaku, figurë madhore e arteve pamore shqiptare!

Shuhet në moshën 89-vjeçare, piktori i njohur Sali Shijaku, prej disa ditësh, i shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Lajmin për ndarjen nga jeta, e njoftoi i biri Orges Shijaku.

Me hidhërim të thellë, ju njoftojmë për humbjen nga kjo jetë të babait tonë, Piktorit të Popullit, Nderit të Kombit Shqiptar, Sali Shijaku. I lehtë të qoftë dheu! I kushtove gjithë jetën Artit dhe Shqipërisë.

Lidhur me jetën e veprimtarinë e Sali Shijakut, në faqen e Galerisë Kombëtare të Arteve është publikuar një shkrim i studiuesit të artit, Ylli Drishti.

Sali Shijaku (12.03.1933) Një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili edhe brenda kanoneve të rrepta të RS, arriti të krijonte vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve 1965-1980. Shijaku ishte piktor kolorist, dekorativ dhe krijuesi i kompozimeve një figurëshe në artin piktorik shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX.

Djali i një tregtari të vogël, Shijaku, pasi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë për pikturë në klasën e pedagogëve Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi, vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve “I.E.Rjepin” në Shën Pjetërburg,  ish-Bashkimi Sovjetik (1956-1961) pranë ateliesë të prof.Boris Vladimiroviç  Joganson (piktor i njohur, president i Akademisë së Arteve Sovjetike dhe Drejtor i Galerisë “Tretjakov” në Moskë).

Tabloja e titulluar “Heronjtë e Vigut” ishte diploma e studentit Shijaku, të cilën e mbrojti në vitin 1962, pas kthimit nga Rusia  në Institutin e Arteve, Tiranë. Shijaku ishte pjesë në grupin e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, historia, legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës.

Artisti Shijaku u fut në rrugën e artit figurativ duke ekspozuar portretet e para të tij si: “Kostum tiranseje” (1952, GKA, Tiranë),  “Portret vajze” (1953, GKA,Tiranë).

Pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, nga tabloja në tablo, Shijaku pati prirje drejt kërkimit në portrete të bukurisë, thellimit psikologjik dhe njollave dekorative.

Vepra e Salit Shijaku, karakterizohet nga një gamë e gjerë temash, që gjejnë zgjidhje në forma të ndryshme, shpesh të papritura. Kështu, tabloja “Partizanët e batalionit – Hakmarrja” (1966), dallohet për prirje në thellimin psikologjik të personazheve, (një grup partizanësh) me qëndrim statik, duke evidentuar forcën shpirtërore dhe heroizmin e kohës me imazhet dhe portretet e figurave.

Deri në fillimin e viteve ‘70, piktori Sali Shijaku akoma nuk ishte shkëputur nga imazhi real, pikturimi me hije dritë dhe me sfumaturë. Tabloja “Mic Sokoli” (1969, GKA,Tiranë)  e “shkëputi” artistin përfundimisht nga kjo mënyrë pikturimi dhe i krijoi vizione të reja, ku monumentalizmi bëhet primar në personazhin e zgjedhur të një cikli tablosh një figurëshe. Figurat e përzgjedhura nga piktori, edhe pse kanë një fund tragjik, atë të flijimit dhe të vetësakrifikimit, kthehen në simbole të adhurimit për publikun: për heroizmin ndaj atdheut (Vojo Kushi, 1969, GKA, Tiranë),  të vetësakrifikimit për kombin (Mic Sokoli, 1976, GKA, Tiranë), “Nora e Kelmendit” (1981, GKA, Tiranë), të virtytit njerëzor (Rozafa, 1983, GKA, Tiranë).

Nga tabloja në tablo  ndryshime pësoi edhe paleta koloristike e artistit, e cila pasurohet, priret drejt krijimit të efekteve grafike, por dhe dekorativo-ekspresive. Për disa vite, Sali Shijaku iu kushtua qeramikës me temën e ciklit të kreshnikëve (balada shqiptare).

Artisti Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare, ai përfaqëson piktorin që me kërkimet formaliste i ndikuar nga arti modern i shekullit XX, brenda tematikës së artit të realizmit socialist ndikoi fuqishëm në transformimin dhe shkëputjen e artit shqiptar nga akademizmi rus. Në vite është vlerësuar dhe nderuar  me disa “Çmime Republike” (1956, 1970, 1984, 1989).  Në vitin 1969, Shijaku mori titullin “Artist i Merituar” dhe më 1979 titullin “Piktor i Popullit” e “Nderi i Qarkut të Tiranës” (2004).

Në vitet 1962-1990 Shijaku ishte pjesëmarrës në të gjitha ekspozitat dhe Konkurset Kombëtare. Ekspozita e tij e parë vetjake daton në vitin 1965.

Shijaku ka ekspozuar në  Bienalen e Aleksandrisë (Egjipt), Rumani, Itali, Francë, Kinë, Turqi, Austri. Në vitet 1985-1988, bashkëpunoi me skulptorin Shaban Hadëri dhe realizuan shtatoren në bronx të diktatorit komunist Enver Hosha, e vendosur në sheshin para Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë dhe më pas e rrëzuar në protestat anti-komuniste.

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen 92 vepra të artistit në pikturë, vizatime, qeramikë. Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e Sali Shijakut  janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Pas viteve 1990,  u bë pjesë e grupimit “Nëntori” dhe ekspozoi në ekspozitat e tij përvitëshme që nga viti 1998. Vitet e fundit i ndau mes Tiranës e Italisë.