Aktualitet

Letra prekëse e Saimir Tahirit për babain e ndjerë: O Ba, si nuk më prite?

Ndahet nga jeta Bashkim Tahiri, babai i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili i kushtoi një letër të publikuar në rrjetet sociale, ndërsa prej më shumë se një viti është në qeli.

O Ba, si nuk më prite? Me sa nxitim e more këtë rrugën e fundit dreqin. Të ndritë shpirti atje lart! Mua me bëre dhuratën më të madhe ndonjëherë, më bëre burrë.

Dhe rri i qetë andej, mos u mërzit më. Qesh e gëzohu siç bëje këtu me ne. Sa here bëhesha gati po nuk ta thoja dot se më vinte zor, por ja po ta them tani që nuk më degjon më:

Të dua shume Ba! Të duam të gjithë shumë shoku Bashkim. Përgjithmonë!

Saimir Tahiri ndodhet pas hekurave kur pas një seance maratonë, më 4 shkurt të vitit të kaluar, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e dënoi me 5 vjet burg “Për shpërdorim detyre”. Me gjykim të shkurtuar, dënimi iu ul në 3 vite e 4 muaj heqje lirie. Tahiri u dënua vetëm “Për shpërdorim detyre” dhe nuk u shpall fajtor për akuzat e tjera “Korrupsion i zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

Më 4 shkurt 2022, Apeli la në fuqi vendimin e marrë në vitin 2019 nga gjykata e atëhershme e Krimeve të Rënda, por me ndryshimin që dënimin duhej ta vuante në burg dhe jo me shërbim prove.  Prokuroria kërkoi dënimin e tij me 12 vite burg, ndërsa Apeli e shpalli fajtor vetëm për shpërdorim detyre, duke qenë se “për shkak të lidhjeve të tij me vellezërit Habilaj, të akuzuar për trafik të sasirave të mëdha të marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë, ka favorizuar aktivitetin e tyre kriminal”.

Pas këtij vendimi, ish-ministri i Brendshëm reagoi me një postim në Facebook, ku foli për padrejtësi.

Më vjen keq që shkoi kështu. Jam moralisht i qetë, nuk kam shkelur kurrë ligjin, kam dashuruar çdo ditë të punës sime, jam i lumtur që kam bërë detyrën siç më mirë munda. Eshtë thjesht padrejtësi!