Aktualitet

Lëvizte pa dokumente, bllokohet skafi në Ksamil dhe gjobitet drejtuesi!

Sezoni turistik veror dhe përpjekja për të rritur parametrat e sigurisë me qëllim mbarëvajtjen e tij, Policia Kufitare vazhdon të intensifikojë kontrollet në jug të vendit, përgjatë gjithë vijës bregdetare në Vlorë, Sarandë e Himarë. Në kuadër të tyre, raportohet se ka shkuar në shtatë numri i mjeteve lundruese të bllokuara gjatë kësaj jave që po lemë pas.

Sipas njoftimi zyrtar, në plazhin e Ksamilit u bllokua një mjet lundrues skaf, si dhe u ndëshkua me masë administrative në shumën 10 mijë lekë të rinj, drejtuesi, pasi u konstatua se ai nuk posedonte dokumentacionin përkatës në bord. Skafi do të qëndrojë i bllokuar deri në shlyerjen e gjobës e pajisjes së drejtuesit të tij me dokumente të rregullta.

Në njoftimin zyrtar të Policisë Kufitare të Qarkut Vlorë, thuhet:

Shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Vlorë dhe ato të Policisë Kufitare Sarandë, në zbatim të planit të masave të hartuar për forcimin e kontrolleve në det dhe në tokë, ndaj mjeteve lundruese për peshkim dhe atyre turistike, si dhe për të verifikuar ligjshmërinë e posedimit dhe drejtimit të këtyre mjeteve nga shtetas të ndryshëm, në të gjithë vijën bregdetare të qarkut, kanë evidentuar një tjetër rast të drejtimit të mjetit lundrues, në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Policia Kufitare e Sarandës ka ndëshkuar me masë administrative 10 mijë lekë të rinj, drejtuesin e një mjeti lundrues tip skaf, pasi gjatë verifikimeve ka rezultuar se ai nuk kishte dokumentacionin e nevojshëm në bord.

Mjeti lundrues skaf u bllokua deri në shlyerjen e masës administrative dhe pajisjen e drejtuesit të tij, me dokumentacionin përkatës.

Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjithë vijën bregdetare të qarkut. Gjithashtu, fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital, ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.