Bota

Lia e majmunëve, OKB kundër stigmatizimit të komunitetit LGBT+!

Programi i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara për HIV/AIDS (UNAIDS) paralajmëron se gjuha stigmatizuese për virusin e lisë së majmunëve mund të rrezikojë shëndetin publik. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), referuar rasteve të raportuara deri më tani në Europë, Amerikën e Veriut dhe Australi sëmundja ka prekur kryesisht marrëdhëniet seksuale mes së njëjtës gjini (burra).

Disa raporte dhe komente mbi linë e majmunëve kanë përdorur gjuhë dhe imazhe që mund të përforcojnë stereotipet homofobike dhe raciste e të përkeqësojnë stigmën. Stigma dhe faji minojnë besimin dhe aftësinë për t’u përgjigjur në mënyrë efektive gjatë shpërthimeve të tilla. UNAIDS vlerëson komunitetin LGBT+ për ndërgjegjësimin pionier të lisë së majmunëve dhe përsërit qëndrimin se sëmundja mund të prekë këdo.

Ky shpërthim thekson nevojën urgjente që liderët të forcojnë parandalimin e pandemisë, duke përfshirë ndërtimin e kapaciteteve më të forta të udhëhequra nga komuniteti dhe infrastrukturës së të drejtave të njeriut për të mbështetur përgjigjet efektive, jo stigmatizuese ndaj epidemive. Që nga e shtuna, OBSH ka vlerësuar rreth 90 infeksione të konfirmuara dhe 30 raste të dyshuara.

Lia e majmunëve, virus shumë i zakonshëm në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore, nuk ka tendenca të përhapjes së lehtë mes njerëzve e simptomat janë mesatare. Sipas autoriteteve shëndetësore në Britaninë e Madhe, shumicës së të infektuarve u duhen disa javë për t’u shëruar. Belgjika u bë shteti i parë që ka bërë të ditur ngritjen e karantinës, tashmë prej rreth një muaji për personat e infektuar.

Simptomat fillestare të lisë së majmuneve përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, të pjesës së kurrizit dhe muskujve. Ndërkohë, mund të dalin puçrra në fytyrë e trup e që mund të shkaktojnë djegie dhe të japin kruarje, deri në zhdukjen graduale brenda dy apo tre javësh. Organizata Botërore e Shëndetësisë, bëri thirrje për një sërë masash urgjente kundër përhapjes së mëtejshme të lisë së majmunëve.