Aktualitet

Ligji për lojërat e fatit, Braçe: Të jetë monopol i shtetit!

Deputeti socialist Erion Braçe ka propozuar që lojërat e fatit të jenë monopol i shtetit.

Gjatë mbledhjes në komisionin e Ekonomisë, Braçe tha se në ligjin e ri ka hapësira që organizatat kriminale të ushtrojnë këtë aktivitet dhe të konkurrojnë ata të ligjshmit.

Ajo që propozohet është ta hapim. Unë mendoj se kemi bërë shumë mirë është që i mbyllëm bastet, ajo që nuk kemi bërë mirë është lufta kundër aktivitetit në të gjithë vendit. Duke e mbyllur këtë lloj aktiviteti, i dha dorë jo vetëm krimit të organizuar por edhe të punonjësve të policisë. Kjo ka bërë që të mos luftohet aktiviteti në të zezë.

Pyetja që kam unë është, duam ta legalizojmë dhe ta kontrollojmë apo ta legalizojmë dhe ta lëmë? Masa për ta kontrolluar këtë aktivitet nuk ka. Unë dua që ky aktivitet të jetë monopol i shtetit. Unë nuk mendoj që ligji të legalizojë 100% aktivitetit. Ligji ka lënë hapësira që organizatat kriminale të ushtrojnë këtë aktivitet dhe të konkurrojnë ata që ligjshmin. Asnjë individ që hyn në këtë treg nuk mund ta luftojë dhe as konkurrojë këtë aktivitet. Pse të mos e ketë monopol shteti këtë gjë?

Kur them monopol për të ndërtuar baza ligjore dhe për ta organizuar shteti, për të grumbulluar paratë shteti, për të garantuar zbatimin e rregullave. E kuptoj që është e vështirë për ta pranuar. Këtë platformën ku do të aksesojnë të gjithë kompanitë pse të mos e ketë shteti? Shteti duhet të ketë akses për të kontrolluar. Ligji lë hapësira që organizatat kriminale të fusin duart në këtë aktivitet- tha Braçe.

Kryetari i komisionit Eduard Shalsi ka replikuar me kolegun e tij duke theksuar se është shumë e vështirë që këtë treg ta komandojë 100% shteti për disa arsye, ndërsa pranoi se sa i përket formalizimit është e pamundur të formalizohet 100%.

Ky treg e pamundur të formalizohet 100%, të formalizohet aq sa është e mundur Duhet një kohë e konsiderueshme dhe kapacitete financiare, nëse duam platforma reale  monitoruese, që shteti t’i marrë në kontroll. Unë mbështes iniciativën e qeverisë, për këto ndryshime të shpejta, sikundër thash që ligji ka probleme. Rregullime janë. Ka nevojë për një ligj të ri. Nuk po e hapim pa duar, por po marrim disa masa, tha Shalsi.