Aktualitet

Lindjet bien me 17% në tremujorin e parë 2023, niveli më i ulët historik në dekada!

Numri i lindjeve ra ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit, duke arritur në nivelet më të ulëta historike në shumë dekada. Rënia e lindjeve ishte aq e fortë sa shtesa natyrore rezultoi negative (vendi kishte më shumë vdekje se lindje) pavarësisht se numri i vdekjeve ka rënë ndjeshëm pas mbarimit të pandemisë.

INSTAT bëri të ditur se në tremujorin e parë të vitit, numri i lindjeve është 5.164, një rënie me 16,9% krahasuar me tremujorin e parë të 2022-shit. Sipas të dhënave historike të INSTAT-it, ky është numri më i ulët i lindjeve i regjistruar ndonjëherë në një tremujor, të paktën që pas viteve ‘90.

Nga mesatarisht 8-10 mijë lindje në tremujor që kishte në vitin 2011, treguesi ra nën 6 mijë lindje më 2022-shin, duke u reduktuar më tej në rreth 5 mijë në muajt e parë të vitit.

Në të kundërt, mbarimi i pandemisë ka ulur ndjeshëm numrin e vdekjeve, duke iu kthyer niveleve të para pandemisë. Sipas INSTAT-it, numri i vdekjeve është 5.557, një rënie prej 31,6 % krahasuar me tremujorin e parë të 2022-shit.

Megjithëse numri i vdekjeve ka rënë ndjeshëm, shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e parë 2023 regjistron 393 vdekje më shumë se lindje, – raportoi INSTAT-i. Shtesa natyrore u kthye negative, për herë të parë në historinë e vendit gjatë periudhës së pandemisë, për shkak të rritjes së ndjeshme të jetëve të humbura dhe u rikthye pozitive vitin e kaluar.

Por, tendenca e shtesës negative të muajve të parë të 2023-shit tregon se e kombinuar me emigracionin, popullsia e vendit është në pikiatë alarmante. Deri tani, vendi ka patur shtesë natyrore negative vetëm gjatë pandemisë, ndërsa është hera e parë që në një periudhë normale u shënuan më shumë vdekje se lindje.

Sipas INSTAT-it, në tremujorin e parë të vitit, katër qarqe të vendit regjistrojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në tetë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.

Në tremujorin e parë të vitit, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 581 lindje më shumë se vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 265 vdekje më shumë se lindje.

Në tremujorin e parë 2023, të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2022. Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1.939 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 77.

Gjatë tremujorit të parë 2023, krahasuar me tremujorin e parë 2022, rënien më të ulët në përqindje të lindjeve e ka qarku i Kukësit me 8,9%, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Lezhës me 33,2%.

Rënie e ndjeshme e lindjeve në tre dekada

Që nga 1950-ta, vit kur raportohen dhe të dhënat më të hershme nga Kombet e Bashkuara, Shqipëria njohu rritje të shpejtë të popullsisë, që kulmoi më 1991-shin, me 3.3 milion persona.

Sipas INSTAT-it, në vitin 1990, në vend kishte 82 mijë lindje, ndërsa më 2022-shin vetëm 23.5 mijë. Më pas, numri i lindjeve filloi të bjerë me shpejtësi, duke reflektuar si emigracionin e lartë ashtu dhe ndryshimin e stilit të jetesës e plakjen graduale të popullsisë.

Ndërsa sot Shqipëria po merr “përfitimet” e numrit të lartë të të lindurve në vitet ‘90, projeksionet e Kombeve të Bashkuara janë që popullsia e Shqipërisë do të bjerë në mënyrë drastike në vitet që vijnë, e ndikuar nga rënia e lindshmërisë dhe emigracioni.

Kombet e Bashkuara presin që popullsia totale banuese në vend, në vitin 2100, sipas variantit mesatar, të zbresë në 1.1 milion banorë./Monitor