Bota

Lufta në Ukrainë, Pentagoni paralajmëron rrezikun bërthamor!

Dita e 22-të e luftës në Ukrainë dhe Moska vazhdon të bombardojë pa dallim qytete e fshatra në territorin e pushtuar prej 24 shkurtit. Ministria britanike e Mbrojtjes vlerëson se forcat ruse kanë shënuar “përparim minimal këtë javë”. Trupat ukrainase rreth Kievit dhe Mikolaivit “vazhdojnë të pengojnë përpjekjet ruse”. Qytetet Harkiv, Çernihiv, Sumi dhe Mariupol mbahen të rrethuara nga forcat e Moskës dhe përballen me bombardime të ashpra.

Për Pentagonin, nuk përjashtohet mundësia që Vladimir Putin t’i drejtohet kërcënimit bërthamor nëse lufta në Ukrainë zvarritet. Ky është vlerësimi më i fundit i Agjencisë së Inteligjencës, Defense Intelligence Agency.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kishte një paralajmërim të fortë për të gjithë ata mercenarë që i bashkohen forcave ruse në Ukrainë. Në një video-mesazh të publikuar në Facebook, Zelensky thekson:

Do të jetë vendimi më i keq i jetës tuaj! Një jetë më e gjatë është më mirë se paratë që ofrohen në këmbim të një jete më të shkurtër. Ushtria ukrainase ka informacione për faktin se trupat ruse po rekrutojnë luftëtarë nga vendet e tjera.

Australia dhe Japonia kanë shtuar sanksionet ndaj Moskës. Kanberra përfshiu miliarderët rusë, Oleg Deripaska e Viktor Vekselberg, si dhe 11 banka e subjekte qeveritare. Ndërkohë, Tokio sanksionoi 15 rusë tjerë e 9 organizata, duke përfshirë kompaninë shtetërore të eksportimit të armëve, Rosoboronexport.

Presidenti amerikan, Joe Biden, sot do të bisedojë me telefon me udhëheqësin kinez Xi Jinping. Kjo në kohën kur Shtetet e Bashkuara po i bëjnë presion Kinës që të mos ofrojë mbështetje për Rusinë në pushtimin e Ukrainës. Siç bën të ditur zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, gjithashtu Biden e Xi do të diskutojnë konkurrencën ekonomike mes dy vendeve.

Pekini dhe Moska kanë intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe në vitet e fundit dhe Kina nuk e ka dënuar në mënyrë të prerë pushtimin rus të Ukrainës, çka ngriti shqetësime në Uashington. Rusët mohojnë raportimet se i kërkuan ndihmë ushtarake dhe ekonomike vendit aziatik.