Bota

Luftë dronësh në Ukrainë, sot dita e parë e vitit të tretë të pushtimit rus!

Dita e 732-të e luftës në Ukrainë. Ndërkaq, në ditën e parë të vitit të tretë që nga nisja e pushtimit rus më 24 shkurt 2022, Moska vazhdon goditjet në fortesat e mbrojtjes ukrainase në Kherson dhe Zaporizhzhia, duke shkaktuar viktima. Natën pati një luftë dronësh. Moska njoftoi se rrëzoi 6 prej tyre ndërsa Ukraina flet për sulme me valë dronësh rusë në jug, qendër dhe perëndim.

Me ndihmën e aviacionit taktik në Detin e Zi, natën vonë, ushtria ruse u përpoq të shkatërronte mbrojtjen tonë kundërajrore duke përdorur raketat Kh-31P, por që u rrëzuan në det. Më tej, pasuan valët e dronëve, fillimisht në drejtim të rajonin jugor të Mykolaivit, pastaj në rajonet qendrore dhe perëndimore të Ukrainës.

Informacioni u raportua nga shefja e qendrës së shtypit të Forcave Jugore të Ushtrisë së Ukrainës, kolonele Nataliya Humenyuk.

Rusia: 6 dronë ukrainas u rrëzuan gjatë natës

Gjatë natës, sistemet ruse kundërajrore rrëzuan dy dronë ukrainas mbi rajonin e Belgorodit dhe katër të tjerë në Detin e Zi, siç njoftoi ministri i Mbrojtjes, i cituar nga Tass.

Një sulm terrorist nga regjimi i Kievit u parandalua gjatë natës, në përpjekje për të goditur dy zona në territorin e Federatës Ruse përmes disa dronëve.

Shtetet e Bashkuara, presidenti Joe Biden mesazh Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan: “Vepro për Ukrainën, koha po ikën”

Mungesa e mbështetja ndaj Ukrainës në këtë moment kritik nuk do të harrohet kurrë. Dhoma e Përfaqësuesve duhet që të miratojë planin e sigurisë kombëtare për të financuar Kievin.

Plani është miratuar në Senat, por në Dhomën e Përfaqësuesve nuk po merr miratimin pasi disa republikanë konservatorë e kushtëzojnë me kalimin e reformave për emigracionin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Ndërkaq, shefi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden kujton se koha nuk premton.

G7-a rikonfirmon “mbështetjen e palëkundur për Ukrainën”

Ne liderët e G7-ës u takuam me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky për të rikonfirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën e për të nderuar sërish guximin dhe qëndrueshmërinë e popullit ukrainas që pa u lodhur, lufton për lirinë dhe të ardhmen demokratike të Ukrainës. Ne mbetemi të bindur se mund të sigurojmë që populli ukrainas të mbizotërojë në luftën për të ardhmen e tij e të ndihmojë në krijimin e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme.

Zelensky në G7: “Ju e dini se çfarë na duhet, ne po mbështetemi te ju”

Ju e dini shumë mirë se për çfarë kemi nevojë për të mbrojtur qiejt tanë e për të forcuar trupat tona në terren. Na nevojitet mbështetje për të vazhduar të jemi të suksesshëm në det dhe e kuptoni se ne kemi nevojë të na mundësohet në kohë. Ne mbështetemi te ju.