Bota

Luftime në Donjeck, presidenti ukrainas Zelensky thirrje për më shumë sanksione ndaj Moskës!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i bën thirrje Perëndimit, të vendosë sanksione të tjera ndaj Moskës, pas njoftimit për shkurtime të mëtejshme në furnizimet me gaz rus në Europë. Zelensky theksoi se “tani është e qartë për të gjithë se përse Rusia po mban peng Europën dhe po përdor gjigantin Gazprom për t’ia bërë këtë dimër më të ashpër vendeve europiane”.

Për presidentin ukrainas, Moska po nxit qëllimisht një rritje të çmimit të gazit në ekuivalentin e më shumë se 2 mijë eurove për 1 mijë metra kub në bursë. Përveç sanksioneve, Zelensky theksoi nevojën që “opinioni publik rus të dijë koston njerëzore të luftës”. “Ndërsa rreth 40 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën që nga fillimi i luftës, shoqëria në Rusi, thuajse nuk ka informacion për numrat”, – deklaroi kreu ukrainas i shtetit.

Separatistët pro-rusë pretendojnë se kanë marrë kontrollin e termocentralit të dytë më të madh me qymyr në Ukrainë, në rajonin lindor Donjeck. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës konfirmoi vetëm se pati luftime të ashpra në një fshat pranë termocentralit të pretenduar nga Moska. Së fundi, Rusia ka shënjestruar rajonet Odesa e Mikolaiv, duke bombarduar ndërtesa private dhe të tjera pjesë të infrastrukturës.

Më 5 gusht, presidenti turk Erdogan udhëton drejt Rusisë për një takim me homologun Putin në qytetin bregdetar Soçi. Vizita vjen disa ditë pasi Turqia, Kombet e Bashkuara, Rusia e Ukraina nënshkruan marrëveshjen historike për të rifilluar eksportet e grurit përmes tre porteve ukrainase, pas disa muajsh bllokimi për shkak të luftës. Eksportet rifillojnë së shpejti, të koordinuara nga një qendër në Stamboll.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, bëri të ditur se Ukraina pranoi disa raketa-hedhëse nga Gjermania. Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Luftën e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi iu përgjigj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.