Sport

Luhet supersfida që mund të thotë shumë për kampionatin, ja çfarë thotë trajneri i Vllaznisë…

Vllaznia do të kërkojë të vazhdojë ecurinë e rezultateve pozitive në kampionat, teksa sot udhëton drejt Durrësit, aty ku Dinamo është pritëse. Në prag të këtij dueli, trajneri i shkodranëve, Qatip Osmani, është shprehur se edhe një barazim do të ishte i kënaqshëm, pavarësisht se objektivi në këtë takim janë vetëm tre pikët. Sipas tij, rikthimi i lojtarëve si Lorik Boshnjaku dhe Esin Hakaj, do të ndikojë pozitivisht tek skuadra. Osmani ka një apel edhe për tifozët që do të jenë në stadiumin “Niko Dovana” për të mbështetur Vllazninë.

Dinamo ka krijuar stabilitet në ndeshjet e fundit, shoqëruar me rezultate të mira dhe lojëra të bukura. Kanë individë të aftë që t’i zgjidhin situatat, kështu që puna jonë është ta ndalim këtë seri rezultatesh pozitive që kanë dhe jemi të gatshëm për këtë sfidë. Ne e kemi analizuar ndeshjen me Erzenin dhe ndoshta nuk kemi luajtur aq keq sa për të humbur, por na ka munguar finalizimi, sepse kemi krijuar disa raste të pastra. Kemi qarkulluar topin mirë, por gjithsesi shfaqëm disa dobësi, të cilat jemi munduar t’i riparojmë gjatë kësaj jave. Unë mendoj se humbja kundër Erzenit nuk do të ndikojë negativisht, sepse kemi edhe një ndeshje të dytë ndaj tyre dhe kualifikimi është i mundshëm. Për situatën ku ndodhemi, edhe barazimi na vlen kundër Dinamos, por e përsëris se synimi jonë është të futemi në fushë për të fituar çdo ndeshje. Duhet të jemi të gatshëm në insistimin e lojës dhe objektivi i Vllaznisë padyshim që është fitimi i kësaj ndeshjeje. Ne e kemi ditur se me kalimin e javëve, disa ekipe do të pretendojnë një vend në katërshe. Një nga ato është Dinamo, një rival direkt për katërshe. Ne po shikojmë vetëm lojën me Dinamon dhe jemi përgatitur për këtë. Duhet të mësohemi me presionin, pasi ai rritet nga java në javë. Është diçka pozitive për ne. Na rikthehet Boshnjaku, por edhe Hakaj do të jetë i gatshëm, kështu do të kemi më shumë alternativa. Nuk mendoj se do të ndryshojmë shumë gjëra sa i takon formacionit. Dita nuk është e përshtatshme, por shpresoj që ata tifozë që do të vijnë, të na mbështesin fuqishëm. Pres të jenë të flaktë, pasi edhe pse të paktë në numër, kanë qenë një mbështetje e madhe për ne.