Bota

Macron dhe von der Leyen trysni Presidentit kinez në lidhje me tregtinë!

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe shefja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen i kërkuan Presidentit kinez Xi Jinping të punojë për një tregti më të ekuilibruar me Evropën në bisedime mes tyre në Paris të hënën në fillim të vizitës dy-ditore të Presidentit Xi në Francë.

Presidenti Macron gjithashtu i bëri trysni udhëheqësit kinez që të përdorte ndikimin e tij në Rusi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Presidenti Xi tha se Franca dhe Kina duhet të punojnë së bashku të parandalojnë një “Luftë të re të Ftohtë” midis blloqeve globale, për çështje të ndryshme përfshirë tregtinë. Presidenti Xi mbërriti në Evropë për herë të parë pas pesë vjetësh, në një kohë tensionesh në rritje në lidhje me tregtinë. Bashkimi Evropian është duke hetuar sektorë të ndryshëm kinezë përfshirë atë të automjeteve elektrike, ndërsa Pekini është kundërpërgjigjur duke vendosur tarifa kryesisht ndaj importeve të konjakut që është prodhim francez.

Presidenti francez i bëri dhuratë homologut kinez Xi konjak ‘Hennessey’ nga firma ‘LVMH’ dhe ‘Remy Cointreau RCOP.PA’, të cilat janë ndër kompanitë franceze të prekura nga vendosja e tarifave kineze. Pa dhënë detaje, zoti Macron falenderoi Presidentin Xi për atë që ai e përshkroi si qëndrimin e tij të hapur në lidhje me masat e përkohshme për konjakun.

BE ka sot tregun më të hapur në botë… por ne duam të jemi në gjendje ta mbrojmë atë. Ne mund të ecim para vetëm përmes dialogut dhe punës së përbashkët.

Pasi mori pjesë në takimin trepalësh me të dy udhëheqësit në pallatin presidencial francez, Elysee, Presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen ishte më e drejtpërdrejtë.

Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë që prodhimet e shumta kineze, përtej nevojave të tregut, të mbizotërojnë tregun e tij. Evropa nuk do të hezitojë të ndërmarrë vendime të ashpra nëse është e nevojshme të mbrojë tregun e saj.

Qëndrimi kategorik i BE-së për tregtinë me Kinën është i ngjashëm me qasjen e Uashingtonit. Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen ka paralajmëruar Pekinin se Uashingtoni nuk do të pranojë ‘shkatërrimin’ e sektorëve të rinj nga importet kineze.