Bota

Maqedonia e Veriut miraton protokollet për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO!

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot në seancën e 82-të me 103 vota për dhe dy kundër, ratifikoi protokollet për anëtarësimin e Republikës së Finlandës dhe Mbretërisë së Suedisë në NATO.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut për herë të parë ratifikon protokollet e vendeve të reja që aspirojnë anëtarësimin në Aleancë, pasi vendi u bë zyrtarisht anëtar i NATO-s më 27 mars 2022

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot mori pjesë në mbledhjen e 82-të parlamentare, në të cilën u miratuan Propozim-ligjet për ratifikimin e protokolleve të Marrëveshjes Veriatlantike në lidhje me anëtarësimin e Republikës së Finlandës dhe Mbretërisë së Suedisë, të cilat Qeveria i dorëzoi paraprakisht Kuvend.

Kryeministri Kovaçevski dhe anëtarët e Qeverisë e përkrahën haptazi iniciativën e Mbretërisë së Suedisë dhe Republikës së Finlandës për anëtarësim në NATO dhe që në maj është dhënë pëlqimi për pranimin e tyre si anëtarë të plotë në Aleancën Veriatlantike.

Protokollet e Marrëveshjes Veriatlantike për anëtarësimin e dy shteteve skandinave u nënshkruan në Bruksel më 5 korrik të këtij viti nga përfaqësues të autorizuar të vendeve anëtare të NATO-s.

Rrjedhimisht, Qeveria lëshoi në procedurë parlamentare propozimet ligjore, me pranimin e të cilave nga ana e deputetëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut jepet dritë jeshile për procedurat e mëtejshme të Suedisë dhe Finlandës në kuadër të NATO-s.

Me këtë akt, Maqedonia e Veriut konfirmon edhe një herë përkushtimin e saj strategjik për mbështetjen e plotë të politikës së dyerve të hapura të NATO-s dhe zgjerimit të saj.

Anëtarësime i Mbretërisë së Suedisë dhe Republikës së Finlandës në Aleancën Veriatlantike është një hap shumë i rëndësishëm për përforcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Evropë, duke marrë parasysh agresionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës.