Sport

Marash Kumbulla drejt largimit nga Roma! Ja klubet e Serie A që e kërkojnë mbrojtësin kuq e zi në ekip…

Marash Kumbulla pritet të largohet gjatë merkatos së janarit pasi lojtari dhe drejtuesit e Romës kanë gjetur dakordësinë për një huazim deri në përfundim të këtij sezoni. Ideja e Kumbullës, por dhe e drejtuesve, është që të gjejë një skuadër e cila i garanton minuta pasi i duhet të kapë formën e tij më të mirë. Edhe Kumbulla, kërkon të jetë në formë pasi ky është një vit i rëndësishëm me Europianin përpara.

Roma ka nevojë të madhe për të shitur futbollist dhe Kumbulla është vërshuar nga ofertat edhe pse nuk ka luajtur fare këtë edicion. Qendërmbrojtësi shqiptar ka kërkuar edhe vet largimin, për faktin se dëshiron të shkoj në Euro 2024 dhe dëshiron të luaj sa më shumë. Calciomercato ka raportuar se tanimë katër skuadra janë vënë në garë pas Kumbullës i cili pritet të mbetet në Serie A. Hellas Verona, Genoa, Torino, por edhe Empoli janë katër skuadrat që janë në garë për të siguruar shërbimet e Kumbullës. Mbrojtësi shqiptar është produkt i sistemit të të rinjve të Veronës dhe bëri 28 paraqitje për ekipin e parë përpara se të shkonte te Roma në vitin 2020, duke u transferuar në një marrëveshje huazimi dy-vjeçar me një detyrim blerje me vlerë 13.5 milionë plus  3.5 milionë euro bonuse.

Kumbulla humbi mbi 250 ditë gjatë vitit të kaluar për shkak të një këputjeje të ligamentit kruciat, duke u rikthyer vetëm në fillim të këtij muaji. Kontrata e tij me Romën skadon për 18 muaj dhe nuk duket se do të rinovohet në këtë fazë. Sipas TMW, Verona po kërkon të sjellë disa përforcime pasi ka lënë tetë lojtarë të largohen këtë muaj dhe kanë filluar të mendojnë për një lëvizje huazimi për Kumbullën, i cili është në kërkim të kohës së rregullt të lojës ndërsa punon për të arritur gjendjen optimale pas lëndimit të tij. Roma është e gatshme edhe ta lejoj të largohet në huazim lojtarin në mënyrë që të jetë obligative blerja e tij. Torino mbetet skuadra favorite për t’i siguruar shërbimet e lojtarit dhe ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e qendërmbrojtësit shqiptar.