Aktualitet

Maratonat e fundjavës në Tiranë, çfarë duhet të keni parasysh për lëvizjen!

Policia Bashkiake e Tiranës njofton masat e marra për mbarëvajtjen e maratonave të planifikuara në fundjavë. “Maratona Fun Run” nesër më 21 tetor, në orarin 09:00-11:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Marrin pjesë mbi 2 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare e të mesme. Ndërkohë, më 22 tetor, nga ora 08:00-15:00 do të zhvillohet aktiviteti më i madh ndërkombëtar sportiv dhe promovues i vitit, që është super “Maratona e Tiranës”.

Në zbatim të urdhrit të kryetarit të Bashkisë Tiranë  “Mbi planin e lëvizjes së automjeteve, gjatë mbarëvajtjes dhe organizimit të aktiviteteve “Maratona Fun Run” dhe “Maratona e Tiranës 2023”, nga Policia Bashkiake në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, si dhe Policisë Rrugore Tiranë është hartuar Plani përkatës i Masave me detyra konkrete të përbashkëta, duke synuar garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të garës , si dhe menaxhimin e trafikut në të gjithë qytetin e Tiranës.

Gjithashtu ju bëjmë me dije se, Bashkia Tiranë në të gjithë perimetrin e garës në funksion të sigurisë, ka vendosur sinjalistikë të përkohshme rrugore, ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet, duke shfuqizuar dhe mbuluar të gjithë sinjalistikën e mëparshme.

Për sa më sipër, me qëllim sigurinë e garuesve, qytetarëve, parandalimin e aksidenteve rrugore, mbarëvajtjen e Maratonës pa incidente, si dhe lehtësimin e trafikut në qytet, u lutemi qytetarëve të Tiranës: të përdorin sa më pak të jetë e mundur automjetet private, për lëvizjet e tyre, në datën 21-22 tetor, për të lehtësuar trafikun. Të mos tentojnë të hyjnë me automjet brenda perimetrit të garës, gjatë zhvillimit te garës, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar, si dhe t’u binden menjëherë urdhrave të shërbimeve policore në devijimet eventuale të trafikut që do të kërkohen.

Të mos parkojnë automjetet e tyre private, brenda perimetrit të garës, në kundërshtim me sinjalistiken rrugore të vendosur.  Të heqin vullnetarisht mjetet e parkuara në rrugët
ku do të zhvillohet gara, nëse i kanë parkuar disa ditë më parë, pasi në të kundërt, do të spostohen me mjet ngritës, nga shërbimet policore”, thuhet në njoftim.

Ata qytetarë që do të duan të lëvizin me automjetet e tyre, që ndodhen të parkuara në brendësi të lagjeve që ndodhen brenda perimetrit të garës, duhet t’i nxjerrin ato, jashtë perimetrit, përpara ores 08:00 të datës 22 tetor, nëse kane planifikuar udhëtime, pasi rrugët do të bllokohen deri në orën 15:00 dhe nuk do të kenë mundësi të hyjnë-dalin me automjet, nga zona e tyre e banimit që ndodhet brenda perimetrit te garës. Të mos tentojnë të lëvizin me biçikleta, monopatina, apo motorë elektrikë, në rrugët brenda perimetrit dhe gjatë zhvillimit të garës, pasi kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar”, vijon Policia.

Këmbësorët të bashkëpunojnë me shërbimet policore dhe vullnetarët, për të kaluar rrugën, në vendet e përcaktuara, pa u bërë pengesë për vrapuesit.