Aktualitet

Mashtruan biznesmenin për t’i marrë 70 mijë euro, 2 në pranga e 2 në kërkim!

Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar dy persona dhe shpalli në kërkim dy të tjerë, të cilët tentuan që përmes mashtrimit t’i merrnin shuma të mëdha parash një biznesmeni. Sipas uniformave blu, dy të ndaluarit dhe dy të shpallurit në kërkim i ishin prezantuar sipërmarrësit, si zyrtarë të lartë shtetërorë me qëllim për t’i përvetësuar shuma të mëdha parash. Ndërkohë, në kuadër të operacionit u sekuestruan dy automjete dhe gjashtë celularë.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë dhe DVP Elbasan, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fraud”, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të disa shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin tentuar të mashtronin një biznesmen, për të përfituar shumën 70 mijë euro.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve Xh. Xh., 24 vjeç, L. Xh., 39 vjeç, M. P., 30 vjeç, të tre banues në Elbasan, dhe P. F., 51 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit Xh. Q., 27 vjeç, banues në Elbasan, dhe F. Gj., 40 vjeç, banues në Shkodër.  Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një shtetas (biznesmen), për të përfituar shumën 70 mijë euro, duke u prezantuar si përfaqësues të një zyrtari shtetëror. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete dhe 6 aparate celulare.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.