Bota

Mbi 1 mijë njerëz u mbytën, zbulohet arsyeja pse nuk ka eshtra në rrënojat e Titanikut!

Ka shumë teori rreth historisë së fundosjes së Titanikut. Eksplorimi dhe analiza e vendit të ngjarjes kanë qenë mjaft të kufizuara, ndaj ka ende shumë hapësirë për hetim. Titaniku ndodhet në rreth 3800 metra thellësi, në një pikë relativisht afër bregut kanadez të Newfoundland. Me kalimin e kohës, ajo që mbetet nga anija degradohet gjithnjë e më shumë. Falë vëzhgimeve të njëpasnjëshme të zonës, dihet se ka ende një numër të madh objektesh nën ujë, mbetjet e sendeve të viktimave si hishe vere, këpucë, valixhe por, diçka mungon dhe ato janë eshtrat e njerëzve.

Rreth 1 160 njerëz u mbytën me Titanikun. Megjithatë, asnjë trup i vetëm nuk është gjetur. Duhet pasur parasysh se u deshën dekada për të gjetur rrënojat e anijes. Prandaj, kur filluan vëzhgimet, gjithçka ishte ekspozuar prej kohësh ndaj ujit të detit dhe efekteve gërryese të kripës në objekte, sipërfaqe dhe mbetje të mundshme skeletore. Megjithatë, nuk përjashtohet që në bord të ketë ende gjurmë të kufomave të shumta.

Por, ajo që merret si e mirëqenë pothuajse unanimisht është se praktikisht të gjithë trupat janë tretur, deri në zhdukjen e tyre. Jo vetëm për shkak të ujit të kripur, por edhe për shkak të aktivitetit intensiv të kafshëve në rajon dhe popullatës bakteriale, të cilat mund të ushqehen me indet njerëzore. Sipas arkeologut detar James Delgado, në atë thellësi kufomat përfundojnë duke u tretur krejtësisht.

Rikujtojmë, se kompania që kishte në pronësi nëndetësen e humbur i ka shpallur të vdekur pesë pjesëtarët e ekuipazhit të “Titan”. OceanGate në një deklaratë për mediat ka shprehur ngushëllimet për jetët e humbura në këtë tragjedi. Kompania falenderon të gjithë ekuipazhet që morën pjesë në mision kërkim-shpëtimin dhe kërkon nga publiku të respektohet privatësia e familjeve.